MARGARITA XHEPA – Një nga Zonjat e Mëdha të teatrit shqiptar

0
154

Margarita Xhepa është një aktore shqiptare, lindi më 2 prill 1932 në Lushnje, Shqipëri. Një nga Zonjat e Mëdha të teatrit shqiptar. Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjecare.

Në mbarim të shkollës shtatëvjeçare Margarita Prifti do të dërgohej në Liceun Artistik “JordanMisja”në Tiranë, në degën e dramës. Gjatë periudhës shkollore në Liceun Artistik “JordanMisja” Margarita do të shquhej ndër shokë e shoqe për talentin e saj të veçantë. Deklamonte fuqishëm dhe me ndjenjë. Mendimit i jepte zë dhe ndjenjës – muzikë. Vetes i jepte punë, spektatorit – mesazh. Fjalën e ledhatonte, veprimit i jepte dridhërimë.
Në vitin 1950, kur ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeçe, nxënësja lushnjare e Liceut Artistik “JordanMisja” do të ftohej të ishte pjesë e trupës së Teatrit Popullor, sot e Teatrit Kombëtar. Këtu do të gjente aktorë të formuar të skenës, autoriteti i të cilëve, megjithatë, nuk do të mund t’i bënte hije aktores së re.

E re, e papërvojë dhe e brishtë, Margaritës do t’i duhej të ecte përpara vetëm falë talentit të vetë. Edhe pse nuk do t’i mungonte ndihma, ajo e kishte të qartë se “regjisori” më i rreptë ishte spektatori. Arriti ta lexonte spektatorin.

Në vitin 1951 pat dalë për herë të parë në skenën e Teatrit Popullor. I qe besuar të luante rolin e shërbyeses në një dramë ruse me titullin “Makar Dubrov”. Siç patën shkruar gazetat e kohës, artistja e re i kish dërguar spektatorit një figurë bindëse, një shërbyese të varfër ekonomikisht, por shumë të pasur moralisht. Një shërbyese që fizikisht i shërbente zotnisë, por virtualisht i shërbente masës së gjërë të njerëzve të punës, të cilët jo vetëm aspironin, por edhe punonin për drejtësi shoqërore.

Më vonë, vit mbas viti, aktores së re lushnjare do t’i besoheshin role të dorës së parë, me ngarkesë të madhe mendimi e ndjenje, role që përbënin kockën e dramave. Mbresëlënëse e deri tronditëse është shfaqur në rolin e Majlindës te drama “Majlinda” e XhemalBrojës.
Artistja e Popullit, Margarita Xhepa – Nderi i Kombit, ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve do t’i përmendim: majlindën tek “majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të JakovXoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga EdmondBudina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj.

Ka qënë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), LediMilford tek “LuizaMiler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), Shejla tek “Morali i zonjesDulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek DhimitriMavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë.

Veç roleve në teatër, ka realizuor edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me DhimitërAnagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.

Në vitin 1997 interpretoi ne filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh ne Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.

Filmografia:

Kronikë provinciale – (2009)
Ne dhe Lenini – (2008)
I dashur armik – (2004)
Mirupafshim – (1997)
E diela e fundit – (1993)
Një djalë edhe një vajzë – (1990), mesueseKristina
Vitet e pritjes – (1990), nëna e Helenës
Kush e solli Doruntinën (1989) teatër-drama, nëna e Kostandinit dhe Doruntinës
Pesha e kohës (1988)
Pranvera s’erdhi vetëm – (1988)
Misioni përtej detit – (1988)
Rrethi i kujtesës – (1987)
Fillim i vështirë – (1986), shoqe e Zanës
Gabimi – (1986)
Gurët e shtëpisë sime – (1985)
Militanti – (1984)
Apasionata – (1983)
Dora e ngrohtë – (1983)
Shokët – (1982)
Dita e parë e emrimit – (1981)
Me hapin e shokëve – (1979) (TV)
Dollia e dasmës sime – (1978)
Gjeneral gramafoni – (1978)
Koncert në vitin 1936 (1978)
Dimri i fundit – (1976)
Pylli i lirisë – (1976) nëna e Vlashit
Tokë e përgjakur – (1976)
Vitet e para – (1965) si Zyraka

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here