Duhet thënë hapur dhe pa ekuivoke

0
182

Nga këndvështrimi im prej një studenti do të më duhet t’i them disa gjëra për ate se çfarë më brengos mua, por jo vetëm mua sepse besoj dhe duhet gjithë studentët t’i shqetësoj kjo gjë sepse ndoshta ata kanë frikë për t’i shpalosur këto gjëra që unë vendosa ti them publikisht.

Këtë opinion do ta kategorizoj në tre shtylla kryesore, e ato janë, si vijon: pakujdesia e profesorëve dhe institucionit ndaj studentëve; mosmarrje të masave për profesorët deviant; dhe bërja politikë direkt apo indirekt nga pedagogët dhe nga vetë institucionet.

Pakujdesia e profesorëve dhe institucionit ndaj studentëve

Ka disa profesorë të cilët lëre që nuk janë të denjë për punën e tyre që bëjnë, por çfarë është ajo më e keqja disa dijnë ta demotivojnë studentin dhe të ja këpusin çdo shpresë për një vetëbesim që ata duhet ta kenë pasi të mbarojnë me studimet. Këta profesorë janë të shpërqëndruar nga puna e tyre të themi kushtimisht “e shenjtë” sepse nuk janë as të rregullt e as të përpiktë në punën e tyre.

Ka të tillë që janë injorantë dhe që nuk i përfillin aspak studentët, pra bëjnë kategorizime; por ka edhe nga të tjerë që u kërkojnë studentëve haraç për të mundur ta kalojnë provimin në mënyrë të tërthortë duke ua treguar vendin apo lokalin se ku t’i çojnë paratë.

Kjo për fat të mirë nuk kam dëgjuar se ka ndodhur te ne por te disa fakultete tjera, siç është për shembull fakulteti i Mjekësisë.

Këtu roli i fajtorit i bie automatikisht vetë institucionit sepse nuk përpiqet të merr masa për profesorët të cilëve u lakohen emrat nëpër kafene dhe në mesin e vetë studentëve.

Një tjetër pakujdesi institucionale ndaj studentëve është edhe mungesa e një bufeje siç e kanë universitetet tjera ku studentët nga pamundësia për të shkuar për të ngrënë nëpër restorane apo edhe në banesa humbin edhe kohën edhe paratë, e mos të flasim për mospasjen e konvikteve që janë premtime të pothuajse çdo udhëheqësie kur po e marrin mandatin.

Mosmarrje të masave për profesorët deviant

Ishte shumë gjest i mirë i udhëheqësisë së Universitetit kur i denoi disa profesorë me heqje nga paga e tyre mujore, me përjashtim e them se ka pasur edhe nga ata që janë djegur përkrah atyre që me të vërtetë e kishin merituar një denim të këtillë.

Për ta pasur efektin e vet, këtë po e vërejmë ne studentët sepse ka profesorë te fakulteti jonë që vijnë vetëm njëherë në javë dhe lere që nuk e bëjnë punën e tyre mirëfilli por dhe kur vijnë kohën më të madhe e kalojnë nëpër kafene dhe kanë qasje irrituese ndaj ne si studentë, e them këte për arsye se nuk organizojnë as konsultimet e provimeve dhe sillen keq e më keq me ne studentët.

E di që udhëheqësia e universitetit nuk mund të bëj magjistarin dhe me shkopin magjik t’i rregulloj të gjitha devijimet në Universitet, por ama kanë organet e tyre që i emërojnë, siç janë përgjegjësit e degëve të programeve studimore, dekanët, prodekanët, të cilët nuk duhet të koketohen me funksionet e tyre që u janë besuar (më shumë nga ata pa merita), me lidhje farefisnore, lokaliste, afariste, madje edhe partiake. Këta të fundit paguhen shtesë për këto punë dhe asnjëherë nuk u intereson t’i pyesin studentët për brengat dhe hallet e tyre.

Pastaj, çdo fakultet ka edhe nga një përfaqësues kukull të studentëve që caktohen vetëm për tu siguruar dhe një votë më shumë por jo edhe për t’i shpalosur brengat dhe kërkesat e studentëve.

E tëra kjo është një devijim institucional, të cilit më vonë do t’i kushtojë shumë në çdo aspekt.

Ajo që është shumë tmerruese është zbrazja e numrit të studentëve nga bankat universitare dhe futja e politikës nëpër institucione.

Bërja politikë direkt apo indirekt nga pedagogët dhe nga vetë institucionet

E keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një universiteti qoftë publik ose privat është lejimi për të depërtuar politika brenda, kurse kjo te ne po vërehet hapur sepse edhe profesorët vetë me studentët flasin për politikë, flasin kundër fesë së vet, ndoshta për të tërhequr sa më shumë vota, ndoshta këtë e bëjnë se nuk kanë kohë për tu përgatitur. Gjitha universitetet tjera në botë krijojnë autonominë e tyre dhe politikën e mbajnë krejt larg, por ndoshta kjo për shkak se atje nuk bëhen punësime partiake dhe familjare, dhe ate më së shumti para zgjedhjeve parlamentare. Te ne kjo është tepër evidente dhe populli nuk mund të mashtrohet lehtë përpos nje grupi militantësh partiak dhe oligarkësh që kanë uzurpuar çdo institucion dhe punësimet i bëjnë mbi këto baza.

Te ne nuk merret parasysh cilësia, dhe as merita. Unë jam një student që kam arritur me punën time të mbaj një notë mesatare mbi 9.00, por duke i parë dhe duke u ballafaquar me këto fenomene shpresa ime për një të ardhme që unë e kam menduar çdo ditë e më shumë po më zvenitet. Athua do të vij një ditë kur studentët më të mirë do dihen dhe do të angazhohen nga përfaqësuesit tanë që ua japim besimin nëpër institucione apo ky terk do të vazhdojë edhe më tutje ku i padituri urdhëron dhe sundon të diturin, ai që është i shkathët dhe i zot pengohet nga individë të cilët sillen rreth e përqark funksioneve dhe ja shkaktojnë kancerin shoqërisë tonë edhe ashtu e ngelur pa imunitet dhe integritet, dhe mos të flasim për dinjitet sepse është diçka që e kemi humbur që moti. Nuk kam dhe aq shumë shpresë që edhe ky 12 prilli do të sjell diçka më të mirë për neve shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Tetovë, 9 mars 2020

Shkruan: Mirhat Aliu

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here