KUR E TËRË BOTA E LUFTON VIRUSIN KORONA, POLITIKANËT E KOSOVËS E LUFTOJNË NJËRI TJETRIN?!

0
77

Në momentin kur duhej luftuar armiku i mbarë njerëzimit, që në mënyrë tinëzare çdo ditë këcënon jetë njerëzish, në Kosovë politikanët po i mprehin shpatat për heqje kokash njëri tjetrit. Ky turp, që rëndë e dëmton dinjitetin dhe solidaritetin e shqiptarit në rrethana krizash dhe flijimin e vehtes për tjetrin, në momentin më delikat të shtetit, do mbetet njolla më e zezë në historinë e Kosovës.

Ta shfrytëzosh këtë moment të ndjeshëm, për arritjen e qëllimeve të planifikuara që nga formimi i këtij koalicioni qeveritar, është e turpshme, madje edhe çmenduri politike. Në kohën kur qytetarët jetojnë nën ethet e kërcënimit nga armiku i tërë njerëzimit, Isa Mustafa, Kryetari i LDK-së, nisi të trokasë derë më derë për të mbledhë ndonjë nënshkrim deputetësh që ta rrëzojë një qeveri të dalë nga vota e lirë e votuesve shqiptarë.

Ky politikan dinak me përvojë të gjatë, e të dyshymtë politike, as që brengoset për postin e ministrit Agim Veliu, e as për luftën kundër Virusit. Ai para së gjithash e sheh interesin e karierës së tij politike, që me çdo kusht të mbetet i pari i partisë dhe kryeministri i ardhëshëm i Qeverisë. Fuqizimi i Vjosa Osmanit përmes votës së popullit dhe raportet korrekte të saj me Kryeministrin Albin Kurti, ishte porosi për te, se po mbaron epoka e tij politikëbërëse dhe se partinë duhej udhëhequr, forcat e reja. Rivaliteti politik mes dy brezave në LDK, tani më një kohë të gjatë është i pranishëm. Forcimi i krahut të Vjosa Osmanit dhe dobësimi i grupimit rreth kryetatit Mustafa ishte paralajmërim se politikanëve të harxhuar të kësaj partie po u vjen fundi.

Vonesa aq e madhe e formimit të Qeverisë Kurti, ishte ishte rezultat i pazarllëqeve të brendshme të LDK-së dhe matje forcash mes atyre që mendonin seriozisht se është e mundshme, madje edhe e suksesshme qeverisja me Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin Kryeministër dhe kuadrove që këtë koalicion e shihnin vetëm si përfitim personal, për të zënë ndonjë vend ministror, apo ndonjë post tjetër udhëheqës. Këmbëngulja e Mustafës, që me çdo kusht Ministër të Brendshëm ta bëjë njeriun tek I cili kishte më tepër besim se mund t’ia ndal hovin luftës së pakompromis kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar të paralajmëruar nga Kryeministri Kurti, u dëshmua në veprimin makabër të tij, që nē momentin më delikat t’i hyjë një aventure që s’dihet si do përfundojë.

Kjo lojë e rrezikshme për Kosovën në momentet kur popullata e saj si i gjithë njerëzimi jeton nën ethet e frikës për rrezikimin e jetës, në emër të gjoja qëndrimeve antiamerikane të Kryeministrit dhe mos heqjes së taksës, nuk është asnjëfarë arsye, në momentet kur Kurti angazhohej për këtë veprim, me kohë të paralajmëruar, që në fillimet e qeverisjes së tij, madje edhe gjatë fushatës parazgjedhore. Ajo që në këto momente del më qesharakja, është përkrahja e planit të Mustafës nga Kryetati i AAK-së, Ramush Haradinajt i cili kundershtimin e politikës së Kryeministrit të Qeverisë së re e bazonte pikërisht në gatishmërinë e tij që ta pezullonte tarifën kundër mallrave të Sëbisë, duke e kushtëzuar me reciprocitet, për të cilën gjë ishte pajtuar dhe kishte nënshkruar edhe Isa Mustafa në dokumentin e marrëveshjes që doli nga negociatat për formimin e Qeverisë.

A nuk është hipokrizi e llojit të vet, solidariteti i Haradinajt, njeriut që nuk e donte Kurtin, pikërisht për ate se ai donte ta heqë taksën, me Isa Mustafën, i cili një ndër arsyet për mosbesim ndaj Qeverisë e bazonte në zëvendësimin e taksës me reciprocitet, edhe pse e kishte nëshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje, që e parashihte një gjë të këtillë. Tani Albini gjendet mes dy rivalëve politikë, që njëri e godet se është i gatshëm ta heq taksën, ndërsa tjetri se nuk dashka ta heq taksën. Nëse edhe kësaj i thonë politikë parimore dhe të dobishme për Kosovën dhe ardhmërinë e saj, atëherë si duket, kjo ardhmëri duket shumë e zymtë.

Me gjithë mundësitë që në demokraci të shprehish mendimin e lire, madje here herë të thuash edhe të pavërteta, në sisteme shumëpartiake me demokraci liberale një gjë është e sigurtë, ballafaqimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe votën e lirë të tyre, që do e përcakojë partinë ose koalicionin që do e drejtojë vendin. Këtë e ka të qartë edhe Isa Mustafa, e kanë të qartë edhe gjithë të tjerët se edhe në rrethanat e krijuara, kur mund të rrëzohet Qeveria Kurti, deri në zgjedhjet e ardhëshme të parakohshme, që për shkak të rrethanave me Virusin, nuk dihet se kur do mbahen, Albini do mbetet në krye të Qeverisë, shumë i sigurtë se në zgjedhjet që do vijnë, ai dhe partia e tij do fitojë shumë më shumë vende në Parlament se sa i ka tani, sidomos kur forcat me energji të re të LDK-së së Mustafës, Veliut dhe Hazirit, do e përkrahin pa rezervë, politikën e Albin Kurtit, madje më fuqishëm se deri tani.

Shkruan: Vebi Bexheti