POPULLIT I DUHET DHËNË LLOGARI PËR TRADHËTINË DHE KRIMIN 18 VJEÇAR, PËRPARA SE T’IA SHPËRLANI TRURIN ME PËRRALLAT PËR “KRYEMINISTËR SHQIPTAR”!

0
52

Agron SHERIFI

Në saje të zgjedhjeve parlamentare, BDI-ja përpara se të japë premtime, duhet t’i japë llogari popullit, se përse rinia migron jashtë vendit dhe nuk do që të dëgjojë për vendin e tij për të cilin më 2001 ishte në gjendje të sakrifikojë jetën! Përse të rejat që punësohen duhet t’i nështrohen bandës së tyre, (ose të japin para të majme) si “kriter” për t’u pranuar në punë! Përse për 18 vite kurrë nuk kanë ndërmarë asnjë hap për plaçkitjen e popullit nga ana e EVN-së! Përse policia hyri e bëri luftë në Kumanovë dhe Kryetari i tyre në emisionin ku u ftua për tu pyetur në lidhje me këtë, me gjakftohtësi tha se “Nuk më ka informuar kryeministri (Gruevski) se policia ka hyrë në Kumanovë e as nuk e shoh të arsyeshme që duhet t’më informojë”, duke qartësuar me këtë se në pushtet është vetëm vegël e pushtetit kriminel të VMRO-së, pa asnjë pikë autoriteti dhe guximi për të përfaqësuar shqiptarët! Përse shkurtohet buxheti i Universitetit të Tetovës dhe shuma e buxhetit që ndahet për shkollimin fillor e të mesëm nga ana e pushtetit është qesharake! Përse Tetova ka 96 kazino dhe ende nuk është ndërtuar biblioteka e qytetit për të cilën janë marrë miliona euro nga pushteti, përse nuk u ndërtua shkolla në Reçicë të vogël pas shumë reklamave dhe propagandave parazgjedhore për vite me rradhë, apo e keni ruajtur për t’i lajthitur shqiptarët përpara zgjedhjeve ashtu siç keni aktruar përgjatë gjitha këtyre viteve! Përse shqiptarët e pafajshëm kalben burgjeve ndërsa kryetari i BDI-së ende flet për “suksese të mëdhaja”, a mos vallë sukses është burgosja e shqiptarëve, mos vallë sukses janë rastet e montuara ku gjithmonë shqiptarët janë viktima! Shoqëria nuk e meriton të udhëhiqet nga individë të tillë të papërgjegjshëm, qëllimi dhe vizioni i të cilëve është vetëm pasurimi brenda natës në emër të “konfliktit të 2001” dhe montimit të situatave të cilat i bëjnë shqiptarët fajtorë, vetëm që kriminelët e tillë të qëndrojnë në pushtet! Është koha më se e duhur që shoqëria me vetëdije t’i dënojë këta kriminelë të cilët 18 vite na nështruan e poshtëruan, këta të cilët nuk përfaqësojnë asgjë tjetër pos vjedhjes dhe krimit për të cilin nuk i japin llogari askujt, sepse e kanë kapur peng edhe sistemin gjyqësor!