Malli të djeg zemrën!!!

0
168

Arburim Iseni

Sot i bëra retro kujtimet e mia kohën kur isha nxënës i shkollës fillore “Kultura” në vendlindjen time, në fshatin Mateç të komunës së Likovës.

Që nga ajo kohë kur isha në bankat e shkollës fillore, kisha dashuri dhe pasion për të shkruar poezi, por edhe lexoja shumë romane dhe libra me poezi nga autorë të ndryshëm të vendit, rajonit dhe botës.

Zakonisht lexoja revistat për fëmijë të asaj kohe në gjuhën shqipe që na i sillte arsimtari i gjuhës shqipe, siç ishin revista “FATOSI” dhe “GËZIMI”, etj.

Nga ajo kohë, mua mu dha rasti që nëpërmjet krijimtarisë të njihja shumë poetë që publikonin krijimet e tyre në këto revista, e në mesin e tyre lexoja edhe emrin e poetit Nehat Jahiut.

Sa me ëndje i lexoja shkrimet e këtij poeti, i cili ka lindur në fshatin Orizare të komunës së Likovës. Kisha dëgjuar se Nehat Jahiu punonte në shkollën fillore “Jeta e re” të fshatit Sllupçan, sot “Faik Konica”. Kisha dëgjuar poashtu se ai nxënësve të kësaj shkolle u ligjëronte lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Në atë kohë, në shkollën tonë na e sillnin edhe revistën “SHËNDETI” nga Prishtina të cilën e porosiste arsimtari i biologjisë dhe na e shpërndante pastaj neve nxënësve.

Rubrika e fundit e revistës “SHËNDETI” ishte gjithnjë me botime poezish për fëmijë të autorëve shqiptarë, por edhe poezi nga nxënësit e shkollave fillore.

Poashtu edhe në rubrikën e kësaj reviste gjithnjë gjeja të botuara poezi nga poeti Nehat Jahiu, kështu që edhe unë fillova të dërgoja herë pas here në këtë revistë ndonjë poezi në atë kohë dhe kurrë se harroj atë gëzim kur për herë të parë pash të botuar poezinë time.

Gjithnjë kisha dëshirë të lexoja diçka nga poeti Nehat Jahiu, por kisha shumë dëshirë edhe ta takoja. Pas një kohe, dëshira ime e kahmotshme do të realizohet dhe unë do e takoja për herë të parë një mësues që kishte bërë emër jo vetëm në shkollën ku punonte, por edhe më gjërë duke arritur rezultate me nxënësit e tij.

Ai tanimë njihet si një mësues i devotshëm, dhe si një krijues letrar. Për ta njohur edhe më mirë poetin Nehat Jahiu, ishte koha kur isha në studime në Universitetin e Tetovës dhe atëherë e formuam edhe Klubin e krijuesve letrar të komunës së Likovës, me seli në bibliotekën e shkollës fillore “Faik Konica” të fshatit Sllupçan, dhe për çdo të shtunë dhe të diel takoheshim aty dhe filluam të punonim.

Në këtë klub kishte disa studentë, por edhe disa krijues më të moshuar të kësaj komune, e në mesin e tyre ishte edhe poeti Nehat Jahiu, i cili edhe punonte në bibliotekën e shkollës.

Që vitin e parë të punës së klubit të lartpërmendur gati të gjithë ne krijuesit botuam nga një libër me poezi. Për ne krijuesit e rinj ishin botimet e para dhe nuk di se si ta përshkruaj edhe unë gëzimin tim kur dola para opinionit me librin tim të parë “Një grahmë dhe një përkëdhelje” gjatë studimeve në vitin 1999. Në gjithë këtë aktivitet kishte kontribuar aq shumë edhe poeti Nehat Jahiu që t’iu jep një mbështetje të fortë krijuesve të rinj të kësaj komune.

Ditët kalonin, kontaktet tani më ishin shumë më të shpeshta dhe e takoja xhaxhin Nehat dhe punoja me ate, që dikur si nxënës i shkollës fillore e njihja vetëm nëpërmjet leximit të krijimeve të tij. Tani isha pranë poetit të mirënjohur, siç e quaja që atëherë dhe sot e kësaj dite vazhdoj ta quaj xhaxhi Nehat.

Si njeri që din t’i afrojë njerëzit, më kishte lënë mbresa që nga fëmijëria ime dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite ku kjo ka ndikuar që unë të mos i shkëpus kontaktet me xhaxhin, i cili tani është në pension, por ai nuk është shkëputur nga krijimet e tij letrare dhe deri më tani ka arritur të botojë një numër të madh librash. Disa nga librat i janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja, si në gjuhën rumune, angleze, etj.

Xhaxhi Nehat nuk la mbresa vetëm tek unë, por ai sot, me shumë mbresa përkujtohet nga ish nxënësit e tij, kolegët e punës, dhe më gjërë.

Ai sot është i njohur në të gjitha trojet tona dhe në mërgatën shqiptare.

Ndjehem shumë krenar që e njoha që herët. Mbresat dhe kujtime e mia për Nehat Jahiun kurrë nuk do të harrohen dhe ndjehem shumë krenar që mu dha rasti që në këtë shkrim timin të shprehi disa fjalë që kam ndaj xhaxhit Nehat Jahiu, edhe pse sadoqë të shkruhen memoare, prapëseprap do të ishte e paktë karshi veprimtarisë së madhe që ai ka bërë për gjuhën tonë, letërsinë dhe kombin shqiptar.

8 korrik, 2020 (Tetovë)