Ua thash por nuk me degjuan, per fat te keq! (Vazhdim)

0
60

Shkruan: Dervish ALIMI

1. Kontribut për debatin publik kushtetuto-juridik aktual (korrik, 2001) 

(përpara lidhjes së Marrëveshjes së Ohrit) 

Të nxitur nga obligimi i njëintelektuali i cili nuk duhet të qëndroje indiferent në kohë të tilla kur vendoset për fatin e vendit dhe ardhmerinë e tij, do të përpiqemi me këtë të kontribuojme sadopak në këtë drejtim dhe njëkohësisht të nxisim edhe të tjerët të kyçen në këtë debat me propozime dhe ide konkrete dhe kështu te kontribuojmë të gjithë së bashku si intelektuale në ndriçimin e rrugës në të cilën te gjithë ne duhet të hapërojmë për të arritur te qëllimi ynë final. 

Këto ditë po zhvillohet një dialog i përshpejtuar politik ndërmjet partive politike më të mëdha shqiptare dhe maqedone, që ka për qellim të rregullojë kornizat e shtetit të ardhshëm, i cili do t’i kënaqte të dyja palet, atë shqiptare dhe maqedone. 

Të gjithe ne e dimë se deri te një dialog i tillë me ndermjetësim ndërkombëtar ndërmjet partive politike nuk do të vinte, po të mos ishte paraqitur faktori ushtarak shqiptar –UÇK, i cili i tundi themelet e shtetit dhe i detyroi të gjithë, madje edhe faktorin ndërkombëtar të rishqyrtojë edhe njëherë rregullimin shtetëror të këtij shteti edhe t’i ndreqë defektet e tij, që në fakt edhe sollën në këtë gjendje. 

Të gjitha partitë politike shqiptare në programet e tyre i kanë perfshirë rrugët dhe mënyrat e zgjidhjes së nevojave të shqiptarëve dhe kanë pak a shumë projekte të mira për zgjidhjen e tyre, gjegjësisht ofrojnë platforma të mjaftueshme të cilat sikur të bëheshin realitet, do ta kishin zgjidhur në menyrë ideale statusin e kombit shqiptar në këtë shtet. Madje ata edhe e kanë fituar mandatin dhe legjitimitetin pikërisht në sajë të këtyre programeve partiake. Eshtë punë tjetër se sa u kanë qëndruar besnikë këtyre programeve dhe me sa sinqeritet kanë punuar në realizimin e tyre, të themi pastaj edhe sa kanë mundur t’i realizojnë këto projekte me mjete demokratike dhe paqësore. Por është fakt se të gjitha këto projekte në pjesën më te madhe të tyre kanë mbetur vetëm në letër, pra nuk janë realizuar aspak.  

Mosrealizimi e tyre, mungesa e rezultateve konkrete në ketë drejtim shkaktoi pakënaqësi dhe revoltë të madhe në masën popullore, e cila jo rastësisht po e shfaq haptas solidaritetin dhe simpatinë ndaj atyre që e humbën durimin dhe shpresën në zgjidhjen paqësore të statusit të shqiptarëve dhe iu qasën armëve si mënyra më ekstreme e arritjes së qëllimeve politike. 

Por edhe ky faktor ushtarak nuk dallon shumë nga partite politike sa i përket programit të tyre dhe projekteve të tyre për zgjdhjen e statusit të shqiptarëve në kuadër të shtetit. 

Prandaj është vështirë këtu të ofrohet ndonjë ide apo projekt i ri për zgjidhjen e konfliktit aktual.   

Megjithatë do të perpiqemi në formë te shkurtër të elaborojmë kufijtë e minimumit të minimumeve gjegjësisht të perkufizojmë pragun të cilin partitë tona nuk duhet ta shkelin në bisedimet aktuale. 

Se pari, nuk duhet lëshuar pe nga kërkesa për status shtetformues të shqiptarëve, e cila nga ana formale juridike ka bazë madje edhe në Kushtetutën e v. 1974 të ish-Jugosllavisë, të një shteti diktatorial komunist, edhepse një gjë e tillë kurrë nuk u jetësua. Eshtë pra më rendesi që gjithmonë kur të përmendet populli apo kombi maqedonas (ose maqedonasit), menjëherë pas tij duhet të qendrojë fraza dhe populli apo kombi shqiptar (apo shqiptarët), dhe nacionalitetet tjera, apo etj. Duhet pasur kujdes me termin “qytetarët e Maqedonisë”, sepse neve shqiptarët, të tjerët më shumë ëndje na thirrnin “qytetarët tjerë të Maqedonise” kur s’dëshironin ta përmendnin fjalën “shqiptar”.  

Eshtë e pamundur të krijohet kushtetutë pa e përmendur titullarin e saj. Pra, është e pashmangshme përmendja e bartësit te saj, sidomos te gjuha zyrtare e shtetit. Dhe kur të bëhet kjo duhet patjëter krahas  “gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase me alfabetin e saj cilirik” të qendroje ne vazhdim edhe “dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj latin gjegjësisht shqip”. Këtu s’ka lëshim pé dhe s’ka pardon. Në qoftë se duhet precizuar më tej, për të bërë kompromis, dhe për t’i qetësuar shpirtërat e të tjerëve, mund të vazhdojë fraza: gjuha maqedonase do të perdoret e vetme në rajonet ku jeton popullata maqedonase, ndërsa gjuha shqiptare do të përdoret si gjuhë e parë zyrtare krahas gjuhës maqedonase nërajonet ku popullata shqiptare është shumicë dhe anasjelltas, gjuha maqedonase si gjuhë e parë zyrtare krahas gjuhës shqipe në rajonet ku popullata maqedonase është shumicë. Ky do të ishte kompromisi i vetëm i pranueshëm, sa i përket gjuhëve zyrtare. Ndërsa në nivel qendror, ço qytetar do të përdorte gjuhën e vet amtare. (Vazhdon…)