18 Vs (pa)përgjegjshmëria

0
200

👈18 Vs (pa)përgjegjshmëria

Një gazetar i njohur para 2 ditëve deklaroi kësisoj: ”…mendoj që deri në moshën 18 vjeçare personat konsiderohen të papërgjegjshëm për të vendosur për jetën e vet, prandaj nuk lejohen për të votuar.” (me qëllim nuk shënoj emrin ose kontekstin në të cilin është thënë me qëllim që shkrimi të mos të personifikohet).

Dua të nënvizoj se mosha 18, në kontekstin në të cilin flet gazetari, paraqet kategori juridike💯 dhe jo psikologjike🧠. Si e tillë, nuk ka të bëjë me “statusin e të qenit i (pa)përgjegjshëm”!
Paramendoni miliona adoleshentë të cilët “sot” i kanë 17 vjet e 364 ditë dhe konsiderohen si të “papërgjegjshëm”, vetëm për 24 orë do të “përgjegjësohen”. Non sens! Edhe pikëçuditësja po “çuditet”🤔!!

Kur lexoj kësi cilësimesh, pyes veten ku shkoi parimi i “lirisë”💫, për përkatësi, për shprehje të lirë, lirinë e përzgjedhjes…parim i cili nga “gazetarët” promovohet si vlerë, normë kushtetuese. Duke promovuar përcaktueshmërinë po paragjykoni, stigmatizoni, etiketoni si “të papërgjegjshëm”, miliona e miliona të rinj, që presin të përgjegjësohen “nesër”. Nëse pajtohemi se janë të papërgjegjshëm, atëherë pse aq shumë promovojmë dhe institojmë në zbatimin e parimit që “adoleshenti të përzgjedhë shkollimin e mesëm, profesionin… dhe jo “prindërit”!?

Nga ana tjetër, nëse i lexoni shkrimet e gazetarit, i njëjti në shkrimet e veta “papërgjegjësinë e lokalizon tek të rriturit, tek elita politike, tek qytetarët “gjatë parkimit, betonizimit…”, tek gjyqësori …. Thënë ndryshe, tek i njëjti hasim elementin “të rriturit të papërgjegjshëm”?!

Nëse, gazetarëve, juristëve, ligjvënësve ua hedhim si grep 🤏konstatimin se të gjithë adoleshentët para moshës 18 janë të papërgjegjshëm, ose se të gjithë 30, 40, 50 ose 60 vjeçarët janë të përgjegjshëm, të pjekur, të ndërgjegjshëm etj., njëzëri do të pohojnë JO🥶!? Do të shpejtojnë të konstatojnë se pjekuria nuk lidhet me atë se sa vjeç je por sa në të vërtet je i përgjegjshëm?! Ne psikologët e themi të njëjtën gjë dhe jemi konsistent në qëndrimet tona.

Dua të nënvizoj se ekzistojnë disa lloje moshash. Nomenklatura “18 vjeç” i takon “moshës juridike” dhe nuk ka të bëje as me “përgjegjshmërinë” e as me “pjekurinë”.
Mosha psikologjike, mosha kulturore, mosha kalendarike, janë tri nga format ekzistuese të moshës. Pikërisht përgjegjshmëria, pjekuria, ndërgjegjshmëria… lidhen me moshën psikologjike, por asesi me atë juridike. Çfarë do të thotë të jesh i pjekur dhe i përgjegjshëm? Do të thotë të jeshë i aftë të përvetësosh dije, të vetëgjykosh, të kesh të zhvilluar ndjenjën e pendimit dhe të keqardhjes kur bëjmë gjëra që janë kundër normave morale dhe etike (qoftë tonat apo të grupit përkatës shoqëror), të jesh përgjegjës për veprimet personale dhe për pasojat e tyre.
Në pubertet paraqiten resurset e nevojshme për zhvillimin e “përgjegjshmërisë”, si: të menduarit formal, hipotetiko-deduktiv, eksperimental etj., të cilat adoleshentit i mundësojnë t”i zhvillojë normat morale dhe etike.

Çfarë identiteti presim të formojë nëse adoleshentët “i përgjegjësojmë që nga mosha 18”. Çfarë mesazhi përçojmë?

Pyes veten, a thua vallë, si dukemi në sytë e adoleshentëve, kur ata shohin gjendjen e përgjithshme politiko-ekonomike në vend?

Gjeneratat e vjetra janë të preokupuar me të kaluarën kurse të rinjtë me të ardhmen!

Shkruan: Qufli Osmani