Asistenti i UT-së Mr. Sc. Dardan Dehari do të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022

0
134

Skiatori i njohur nga Tetova, njëherazi edhe asistent në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Kulturës Fizike, Mr.Sc. Dardan Dehari do të merr pjesë në edicionin XXIV të Lojërave Olimpike Dimërore Pekin 2022, që do të zhvillohen nga data 4 e deri më 20 shkurt.
Në prag të udhëtimit për në Republikën e Kinës, skiatori Dardan Dehari sot u prit nga rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili dhe prorektori për arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Në këtë takim u diskutua për suksesin e arritur, mundin dhe sakrificat e skiatorit Dardan Dehari, gjithnjë me përkrahjen e plotë dhe të pandërprerë të universitetit tonë.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili tha se pjesëmarrja e Dardan Deharit në Lojërat Olimpike Dimërore është shumë arritje e madhe, pasi së pari, ai e nderon veten por edhe neve si universitet. Ne si institucion e përgëzojmë Dardanin për këtë sukses dhe shpresojmë që edhe rezultatet nuk do të mungojnë në këto gara ndërkombëtare.

Ndërkaq, vetë protagonisti, Dardan Dehari tha se e ka pasur qëllim jetësor këtë arritje në karrierën e tij, pasi Lojërat Olimpike janë evenimenti më i rëndësishëm për një skiator. “Jam krenar që marr pjesë dhe njëkohësisht falënderues edhe për Universitetin e Tetovës, se me të vërtetë ka ndikuar drejtpërdrejtë në këtë sukses, shkaku se është ngarkesë psikologjike të jesh edhe mësimdhënës këtu edhe t’i ndjekësh përgatitjet fizike – ushtrimet, meqenëse duhet patjetër të largohemi prej shtetit, por fatmirësisht me mirëkuptim ia kemi dalë”, tha Dardan Dehari.

Sa i përket formës fizike, ai tha se ndjehet mirë dhe shpreson se me pak fat mund të korr rezultat pozitiv. “Këtë vit kemi filluar prej verës me stërvitje edhe ka shkuar ashtu siç e kemi planifikuar, si faza përgatitore edhe ajo e garave. Në gara kemi kaluar shumë mirë, gjithmonë kam qenë në top 10-she. Kështu që jam i kënaqur me kualifikimin.

Prorektori për arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se çdo sportist që fillon me karrierën e vet e ka një qëllim; të marrësh pjesë, të kyçesh, të kualifikohesh në kampionatet botërore dhe në Lojërat Olimpike është kulmi i karrierës së një sportisti. Skitaria është sport i përhapur në shtetet e zhvilluara dhe konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe, sidomos në shtetet që janë me një standard ekonomik shumë më të lartë se ne. Nga këto treva, Dardani është shqiptari i parë që merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore.
“Të përgëzojmë Dardan! Ti je aset kombëtar, je vepër e institucionit tonë, e Universitetit të Tetovës, konkretisht e Fakultetit të Kulturës Fizike, sepse keni qenë student, tani jeni pedagog në këtë fakultet! Një pedagog i universitetit tonë të merr pjesë në Lojërat Olimpike që mbahen në Pekin të Republikës së Kinës është sukses i jashtëzakonshëm. Është kënaqësi dhe leverdi për ne si institucion. Të përgëzojmë për punën dhe të urojmë suksese”, tha prorektori për arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Skiatori Dardan Dehari do të garojë në disiplinat sllallom dhe sllallom i madh, më 13 dhe 16 shkurt. Ekspedita e Maqedonisë së Veriut në Pekin do të udhëtojë të dielën, më 30 janar. Universiteti ynë i uron fat dhe suksese Dardanit, me shpresën se do të arrijë të radhitet sa më lartë në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, pasi një sukses i tillë do të ishte edhe sukses i vetë Universitetit të Tetovës.

Burimi i lajmit: https://www.facebook.com/338685373241583/posts/1365319487244828/