Ballina e librit më të ri “Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor”. Recenzentë prof.dr. Anton Panchev dhe prof.dr. Etem Aziri. Botues: Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvllimit nê Maqedoni. (20.10.2021)

0
476

Në vijim vlerësimi i Dr. Anton Pançevit.Studimi “Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor” është ndër librat më të rëndësishëm në fushën e gjeopolitikës sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit. Federata Ruse është ndër aktorët kryesorë në këtë rajon dhe aspektet e politikës së saj duhet të hulumtohen nga këndvështrime të ndryshme. Dr. Selim Ibraimi prezanton një hulumtim origjinal që trajton tema senzitive dhe vendimtare për zhvillimin e gjithanshëm të Ballkanit në përgjithësi, sepse këto tema prekin në mënyrë serioze edhe vendet e tjera ballkanike, si edhe komunitetitn euroatlantik. Autori i ka trajtuar të gjitha aspektet e ndikimit rus në Ballkan, strategjitë dhe instrumentet e këtij ndikimi. Paraqitja e retrospektivës historike për shfaqjen dhe rritjen e interesimit rus ndaj Ballkanit dhe të projekteve të ndryshme ruse për përfshirjen e kësaj zone në “sferën ruse” ndihmojnë kuptimin e politikës së tanishme të Moskës ndaj rajonit. Analiza e propagandës ruse tregon veglat e “fuqisë së butë” dhe operacionet hibride ruse. Me shumë rëndësi janë analizat e rolit të energjisë dhe të armatimeve në strategjinë ruse për Ballkanin. Pikërisht me këto instrumente Rusia e shtrin më se shumti ndikimin e saj në Ballkan. Janë shqyrtuar edhe aspekte të tjera të politikës ruse ndaj Ballkanit që e bëjnë monografinë një studim të kompletuar. Cilësia e punimit shtohet edhe më shumë me përdorimin e dokumenteve zyrtare ruse, që përcaktojnë elemente nga strategjia ruse për Ballkanin, si edhe me shfrytëzimin e burimeve të ndryshme në mënyrë kritike dhe krahasimtare.Përpunimi i hulumtimit bazohet mbi një metodologji të gjerë, që gërsheton metoda sasiore dhe cilësore. Intervistat e standartizuara të ekspertëve, që burojnë nga vende dhe shkolla të ndryshme historike dhe gjeopolitike, ndihmojnë jo vetëm për ndërtimin e pasqyrës objektive të ndikimit rus në Ballkan duke i tejkaluar paragjykimet ideologjike dhe nacionale, por tregojnë një qasje shumë të suksesshme hulumtuese. Studimi monografik pasqyron objketivitetin historik të politikës ruse me rëndësi të madhe për Ballkanin. Dr. Selim Ibraimi i ka hulumtuar me përkushtim ngjarjet dhe proceset historike, politike, gjeopolitike, ekonomike, kulturore, ushtarake gjatë dekadave të fundit, duke i analizuar me kujdes dhe me profesionalizëm. Kjo ka sjellë rezultate të mirëfillta shkencore dhe është krijuar një studim serioz me përmbajtjen dhe me formën e duhur në të cilin janë përdorur mjetet e nevojshme shkencore. Punimi ka strukturën dhe metodën e analizës cilësore dhe përfundimet e autorit bazohen mbi faktet dhe proceset me rëndësi për politikën ruse ndaj Balkanit. Monografia ka hyrë edhe në thelbin e problematikës diplomatike dhe i ka paraqitur projektet, orvatjet dhe qëllimet politike të Rusisë ndaj vendeve ballkanike. Kjo tregon se Selim Ibraimi i ka kuptuar shumë mirë strategjitë ruse që i lejon autorit të bëjë parashikime të besueshme dhe të vlefshme për politikën e Moskës në rajonin e Ballkanit. Ky studim duhet të lexohet me vëmendje nga secili hulumtues që ka interes nga proceset në Ballkan.