Sali Berisha i ka cilësuar korruptive dy investimet amerikane në Shqipëri, të dhëna me prokurim të drejtpërdrejt nga ana e qeverisë shqiptare; ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës dhe konvertimin e termocentralit të Vlorës.
Duke folur nga Patosi, ku ishte në kuadër të 30-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, Berisha i çoi “dy fjalë” Ambasadores Yuri Kim.
“Ambasadores Yuri Kim do t’i them dy fjalë. Ne këtu jemi pro amerikanë mirëpresim investitorët amerikanë, por kompania me e fuqishme që ka punuar në Shqipëri ishte Bechtel, që ndërtoi një nga projektet më kryesore të PD e qeverisë së saj. Fitoi Rrugën e Kombit me tender ndërkombëtar të shpallur në gazetat e Londrës, ku morën pjesë 7 kompani gjigante botërore. Zonjë në emër të shqiptarëve mos inkurajoni prokurime direkte në këtë vend, se pavarësisht nga vendi që vijnë, prokurimet direket janë korruptive, prandaj nëse jeni e interesuar në luftën e korrupsionit insistoni për tendera të hapur”, tha ai.
Përveç Bechtel, që ka fituar tenderin për ndërtimin e HEC-it të Skavicës, Berisha ka sulmuar si korruptive edhe marrëveshjen e nënshkruar me amerikanët e Exxon Mobile për konvertimin e termocentralit të Vlorës në termocentral me gaz për prodhimin e energjisë elektrike.
“E njëjta gjë them për kompaninë që ka marrë termocentralin. Fatura është 120 mln euro, por dini ju sa ka kushtuar 115 milionë euro. E kuptoni ç’po bëhet këtu. Domethënë, më shtrenjtë konvertimi në gaz sesa i gjithë hidrocentrali dhe kjo pa tender. Imun ndaj korrupsionit nuk është askush, nuk mjafton shtetësia, po procedura e zbatimi i ligjit për mos përhapjen e korrupsionit këto janë rezultat i shkatërrimt të sistemit të drejtësisë. Për një proces të drejtë duhet të kesh gjykatë të ndershëm”, deklaroi ai.
Burimi: gazeta-shqip.com