Dhimo Kovaçi kryeministri i ri i ‘Severnës’!

0
215

Shkruan: Medai SHAHOLLI

Dhimo Kovaçi kryeministri i ri i ‘Severnës’!

qyfyre bulevardi

Sonte vonë pas shumë debatesh pritet që parlamenti i ‘Severnës’ të miratoj me një shumicë të thjeshtë votash programin e qeverisë së re me kryeministër Dhimo Kovaçin ( Dimitar Kovaçevski) deri në vitin 2024.
Qeveria e re e premierit Dhimo pritet të jetë vazhdimësi e politikave të ish premierit Zajko në raport me qëndrimin që do të mbajë Dhimo ndaj shqiptarëve.

Mosndryshimi i kushtetutës dhe mbajtja e nofkës së ‘20%’ për shqiptarët nuk është diçka e re por vazhdimësi e politikës antishqiptare në ruajtjen e supremacisë dhe të kontrollit mbi shtetin dhe pushtetin vetëm nga sllavo-maqedonët nga frika e humbjes së pushtetit nëse do praktikohej e drejta dhe parimi i barazisë sipas përbërjes së popullsisë në vend.
Premieri Dhimo do të jetë ‘qahjai’ që do të ‘fshikullojë me kamxhik’ kuajt dhe gomerët shqiptarë që do të shijnë bereqetin e ‘dërzhavës’ në lëmin e guvernës deri më 2024, duke i dhuruar si lëmoshë gomerëve tanë për punën e mundimshme ‘tagji’ të mjaftueshme në përballimin e punëve të rënda bujqësore të qeverisë.

Ndryshe nga premieri Zajko, ky Dhimua që thoni ju more shokë, ka premtuar që rinia nuk do presin më bileta autobusi për të ikur në europë por do t’i gjejë punë nëpër fusha duke mbjellur shalqinj, lakra dhe kastravecë, duke konkuruar në Tregun e Përbashkët Europian me prodhime bujqësore të vendit me siglën ‘made in Severna’!
Nën udhëheqjen e premierit Dhimo Kovaçit do të zhvillohet industria e makinerisë bujqësore dhe të kovaçaneve për prodhimet bujqësore në mbarë vendin.

Kësisoj, ‘dërzhava’ jonë do të njoh një hov të madh zhvillimi të bujqësisë pasi rinia nga sot e tutje nuk do ja mbath më nga sytë këmbët nëpër europë, por do ‘punësohen’ nëpër koperativat bujqësore mixte me nxitjen dhe ndihmën e guvernës për gjetjen e tregut të ri për shitjen e prodhimeve të tyre.
Ky është programi qeveritar i ekonomisë ndërsa në sektorin e politikës së jashtme ‘dërzhava’ jonë do vazhdojë të këmbëngul për fqinjësi të mirë me të gjithë përfshirë këtu dhe me motrën Bullgari që edhe pse nuk e njeh maqedonishten si gjuhë të veçantë ata do të vazhdojnë dialogun për zgjidhjen e këtij problemi.

Sa i takon marrdhënieve ndëretnike sidomos me shqiptarët qëndrimi i premierit Dhimo është i qartë se shqiptarët do vazhdojnë të trajtohen me ‘respekt’ si bashkësi etnike e 20% dhe se ndryshime në kushtetutë nuk do të ketë pasi nuk ka gatishmëri nga ana e partive politike shqiptare në këtë drejtim, ata janë pajtuar me statusin politik dhe kanë një ligj të miratuar për gjuhët e pakicave që e bënë ‘dërzhavën’ tonë krenare në zbatimin dhe plotësimin e konventave ndërkombëtare për pakicat.

Ne popullit të thjeshtë nuk na mbetet gjë tjetër për ta uruar guvernën e re me mallkimin e veçantë për qeveritarët e prapët: ‘Ju ngectë në fyt’ dollia me rastin e miratimit të qeverisë së re!

Deri në rrëfenjën e radhës mirë mbeçi!

https://www.facebook.com/100044481067068/posts/497559028403462/