Kodra e Diellit, intenca dashamirëse e një kaosi te dhimbshëm

0
52

Opinion nga Mislim Zendeli, profesor universitar:

Pamjet nga fotot ku paraqiten gjendje kataklizmash nga filmat horror të njerëzve që ikin nga katastrofat natyrore, nga njëra anë, dhe komentet e shumta të pjesëmarrësve në këto ngjarje që vijnë nga vizitorët të Kodrës së Diellit në vikendin e fundit, më nxitën që të jap vlerësimet e mia rreth kësaj problematike, e cila ditët e fundit u bë temë diskutime me përmasa shqetësuese. Kjo ndodhi nga shkaku i koncentrimit tej mase të kërkesës turistike në kushte mjaftë tërheqëse natyrore.

Nuk është hera e parë që Kodra e Diellit ballafaqohet me një fluks të paparë, në veçanti në ditët e fundjavës, pik ky që nxitet nga kushtet jashtëzakonisht të favorshme me borë të bollshme dhe me diell shkëlqyes, për kalimin e një vikendi mbresëlënës. Por vizitorët u kthyen madje disa në orët e vonshme të mbrëmjes të zhgënjyer.   gjendje e cila krijohet gjithandej nëpër qendrat sportive dimërore. Kështu p.sh. një qendër e ngjashme pranë Oslos, Norvegji me emrin Parku Dimëror i Oslos të cilin e gravitojnë me mijëra vizitorë dhe i cili ofron shërbime mjaftë cilësore për dashamirët e të gjitha moshave dhe sporteve dimërore u janë vë në disponim 11 ski lifta dhe 18 pista të ndryshme, transporti i vizitorëve nuk paraqet problem pasi janë marrë masa paraprake për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, i cili tek ne është i panjohur jo vetëm si praktikë por dhe si nocion. Në shembullin e apostrofuar përveç rrugës dhe parkingjeve të mjaftueshme deri te kjo qendër skiatorët shkojnë me një tren të posaçëm, autobusë, si dhe me makina individuale.  Rasti i Parkut Dimëror i Oslos paraqet një nga shumë shembuj të tjerë në mbarë botën, se si dikush e ka zbuluar ujin e ngrohtë para nesh! Shembuj të tillë madje me zgjidhje mjaftë praktike për t i ikur tollovisë së trafikut dhe pritjeve të stërlodhëshme gjejmë gjithandej nëpër vende të cilat janë të interesuara të ekonomizojnë potencialet turistike.

Për të zbuluar dhe korrigjuar problemet, para se të shkojnë shumë larg, monitorimi i kujdesshëm i ndikimeve, si pozitive dhe negative, duhet të jetë një aktivitet kryesor i planit të përgjithshëm të manaxhimit të një destinacioni.  Numri maksimal i njerëzve që mund të vizitojnë një destinacion turistik në të njëjtën kohë, pa shkaktuar shkatërrim të mjedisit fizik, ekonomik dhe social-kulturor dhe një rënie të papranueshme në cilësinë e kënaqësisë të vizitorëve.  Këto dhe problemet e ngjashme janë tema me të cilat merret disiplina e veçantë e quajtur, zhvillimi I qëndrueshëm I turizmit.

Turizmi i qëndrueshëm është paraqitur si nevojë e kohës më të re duke u nisur nga gabimet dhe efektet negative që ka krijuar i a.q. turizëm masiv. Fjala është për një këndvështrim modern në zhvillimin e turizmit të cilin e kanë përkrahur dhe janë duke e zbatuar shumë mire bilës në vendet me traditë turistike siç është Sllovenia, Austria etj.  Ideja për një zhvillim të qëndrueshëm bazohet në këto parime: përkushtim dhe kujdes për plotësimin e pritshmërisë së turistit në rastin tone vizitorit, parashikimi i risqeve, ndryshimet në sjellje, dhe të ngjashme.

Në pjesën më të madhe të trajtimeve teorike të turizmit të qëndrueshëm turisti trajtohet si shkaktari kryesor i problemeve, në lidhje me ndikimet e tij dhe të aktiviteteve që ai shkakton nga ana ekonomike, sociale dhe ambientale.  Por turisti nuk është  një i paftuar, që shpesh vetëm shkakton probleme, se sa një mik i rrallë.  Ai shpenzon sasi të konsiderueshme parash, të cilat i ka fituar në vendin e tij të origjinës, duke i shpenzuar në një kohë mjaft të shkurtër në destinacionin turistik. Andaj ai duhet të trajtohet  dinjitetshëm  dhe mundësisht atij  duhet t’i  të plotësohet pritshmëria.  Për rastin tone mund të themi se më I prekuri nga këto ngërçe dhe tollovi trafiku është vizitori, I cili përpos se harxhon mjete dhe kohë të konsiderueshme është I ballafaquar dhe me strese dhe lodhje psikike. Nuk është lehtë që një familje të mbyllet në makina me orë të tëra. 

Shkrimi nuk ka për qëllim detektimin e  fajtorëve dhe faktorëve që kanë sjellë këtë katrahurë në këtë qendër të dashur turistike dimërore, jo vetëm për tetovarët por dhe më gjerë, pasi kjo do të kalonte kornizën e shkrimit. Konsideroj se është e nevojshme dhe e dobishme të flitet për mundësitë respektivisht alternativat e mundshme të zgjedhjes së problemit, sot kur kemi borën dhe ditët me diell, dhe kur kemi kërkesë enorme nga klientela e dashamirësve të borës, diellit, sporteve dimërore, njëherazi duke pasur parasysh edhe në aspektet e kaheve zhvillimore të kësaj qendreje në të ardhmen.  

Një nga gjërat më stresuese që mund t ‘i ndodhë një vizitori apo turisti është trafiku, sidomos kur vargu i makinave që s’kanë të mbaruar, bllokon rrugët dhe ndot ajrin. Këto problem të blokimit të trafikut janë të mëdha por zgjidhje duhet gjendur.Zgjidhjet e mundshme të kaosit gjatë transportit të vizitorëve dhe turistëve në Kodrën e Diellit sipas nesh, janë të natyrës afatgjate, afatmesme dhe afatshkurtre.

Në planin afatgjatë, paraprakisht kërkohet të përpilimi i një programi për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Kodrën e Diellit. Fillimisht të bëhet vlerësimi dhe diagnostikimi i  çështjeve parësore. Vlerësimi i madhësisë së kapacitetit mbajtës të destinacionit Kodra e Diellit. Që do të thotë të përllogaritet sa është kapaciteti maksimal të cilin mund ta përballojë kjo qendër në një kohë të caktuar. Këtu parasë gjithash theksi është i përqendruar tek kapacitetet mbajtëse infrastrukturore, që në terminologjinë e turizmit të qëndrueshëm janë mjaftë tema të ndjeshme.  Në këto konstelacione duhet gjetur përgjigje në pyetjet: Çfarë zhvillimesh nevojiten të bëhen përpara se të fillojë zbatimi i planifikimit të turizmit të qëndrueshëm? A do të kenë turistët  parasë gjithash transport për të ardhur te destinacioni i duhur? Më pastaj të përcillet me përllogaritjet të investimeve, i cili merr në konsideratë kostot dhe kthimin e kapitalit, që në fund të përmbyllet me çështjet ligjore dhe rregullave të  cilat mund të lehtësojnë aplikimin e kushteve të dëshiruara  mjedisore në investime.

Politikat afatmesme përkojnë me realizimin e politikave afatgjate. Fillimisht do të duhej të hapet një rruge të veçantë për banorët e vikend shtëpizave dhe mbyllja e daljeve nga kjo pjesë në rrugën kryesore. Më pastaj do të duhej të vazhdohet me ndërtimin e një teleferiku të ri modern me kapacitete të mirë llogaritura të udhëtarëve. Në planin afatmesëm zgjidhja e transportit të vizitorëve me makina private kërkon shtimin e kapaciteteve për parkim, respektivisht ndërtimi i parkingjeve të reja, në formë të garazheve në kate, në hapësirat e përshtatshme të afërta me shtigjet e skijimit apo skiliftave . Si zgjidhje alternative është ndërtimi i parkingjeve në Tetovë dhe bartja e vizitorëve me autobusë, kurse zgjidhja më e shpejtë do të ishte bartja e udhëtarëve me autobusë në mënyrë të organizuar nga disa pika të caktuara në qytetin e Tetovës, atje ku ka hapësira për parking si p.sh. stacioni i teleferikut, qendra e Tetovës, hapësira afër tregut të Tetovës ku qytetarët kanë në disponim një numër të konsiderueshëm të parkingjeve. 

Në aspektin afatshkurtër që mund të zbatohet shpejtë dhe lehtë është implementimi i të a.q. koncept de marketing i turizmit të qëndrueshëm. Pikërisht problemet e demarketingut dhe të implementimit janë shumë të lidhura dhe aspekte të veçanta brenda turizmit të qëndrueshëm si koncept modern i zhvillimit të turizmit.  Njohësit e mirë të politikave të zhvillimit qëndrueshëm të të turizmit rekomandojnë modifikimi i kapacitetit mbajtës të bëhet përmes skemave të të a.q. koncept të menaxhimit të vizitorëve.  Demarketingu si formë është dekurajues për vizitorët e destinacioneve të cilat mund të jenë herë pas here të mbipopulluar dhe ka për qëllim të zvogëlojë kërkesën turistike për destinacionet në fjalë në rastin tonë Kodra e Diellit.  Në fakt për të realizuar demarketingun duhet gjetur formulë përmes 4 P (produktit, vendit, çmimit dhe promovimit). Parkingu me pagesë për parkingjet ekzistuese në Kodrën e Diellit me një çmim pak më të lartë do të ndikonte të bie kërkesa. Këtë p.sh. e praktikon qyteti italian Venecia, edhepse ka zëra që kjo është një formë diskriminuese për ata që kanë të ardhura të vogla. Një sfidë e demarketingut do të ishte joshja e vizitorëve përmes benefiteve jashtë ditëve të pikut.  Me qëllim të realizimit të politikave të turizmit të qëndrueshëm në disa vende zbatohen taksat për vizitorë, të cilat më pastaj gjenerojnë mjete për zhvillimin e infrastrukturës së destinacionit.

Si taktika për kontrollimin e stërngarkimeve të kapaciteteve turistike në një destinacion turistik nga vendet që kanë praktika të suksesshme në këtë drejtim njihen:  manaxhimi me pagesa (p.sh.  zonimi/mbyllja e destinacionit në orë të caktuara apo kufizimin herë pas here të vizitorëve; kufizimin e parkimit  të makinave,); racionimi dhe alokimi (p.sh. përmes, rezervime, pezullimeve, kërkesa të përshtatshmërisë, çmimi etj.); arsimimi i vizitorit (p.sh., përdorimi i llojeve të kurajimeve/dekurajimeve të caktuara, sigurimit të informacionit lidhur me kapacitetin si p.sh. njoftimi I vizitorëve përmes panove elektrike për gjendjen e rrugëve dhe kushteve për parking, etj.).

Siç potencova dhe më lartë,  intenca e këtij shkrimi nuk është të gjendet fajtori por të gjenden modalitete apo të jepen opinione për kapërcimin e situatave të pa lakmueshme, që zbehin imazhin, edhe ashtu të rrënuar, të kësaj perle të turizmit dimëror të njohur jo vetëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë në Ballkan. Ndaj bindjen se njohësit e mirë të rrethanave zhvillimore të Kodrës së Diellit si dhe ekspertët e fushës kanë dhe shumë alternativa të tjera për zgjidhjen e problemit të trafikut për qendrën në fjalë.

Mislim Zendeli, Tetovë,  17 dhjetor 2021

Burimi: gazetaexpress.com