Në 27-vjetorin e fillimit të ligjëratave të para u promovua Monografia e Universitetit të Tetovës

0
103

Me rastin e shënimit të 27-vjetorit të fillimit të ligjëratave të para, Universiteti i Tetovës e promovoi Monografinë, gjatë periudhës kohore 1994/95 – 2004/2005. Monografia përbëhet nga 15 kapituj dhe ka një bibliografi prej 295 materialeve burimore. Merita të veçanta për finalizimin e kësaj vepre madhështore ka Kryeredaktori i kësaj vepre, Prof. Dr. Vullnet Ameti, rektor i mëparshëm Universitetit të Tetovës, i cili bashkë me ekipin e tij, me shumë ngulm, vendosmëri e përkushtim maksimal punuan në finalizimin e këtij botimi.
Ai, në fillim të fjalës së tij foli mbi rolin historik që Universiteti i Tetovës ka pasur në shumë procese të rëndësishme për kombin tonë. “Universiteti i Tetovës është shëmbëllesë e dijes, lirisë, kulturës, artit dhe qytetërimit. Universiteti i Tetovës është guri i çmuar në kurorën e përjetshme të identitetit tonë. Universiteti i Tetovës është vazhdimësi e ideve dhe përpjekjeve të mendimtarëve të Rilindjes Kombëtare dhe paradigmave të mëvonshme, që besonin, me të drejtë, se një komb bëhet i lirë nëpërmjet lartësimit kulturor e arsimor. Arsimi hap botëshikime të reja për jetën, shoqërinë, kombin, njeriun dhe njerëzimin. Arsimi i shëron plagët e shoqërisë dhe i jep kahen e duhur rrugëtimit të kombit. Nëpërmjet arsimimit fisnikërohen kombet dhe bëhen pjesë e familjes së madhe të kombeve të qytetëruar. Bëhen pjesë e ndërveprimeve e koalicioneve kulturore dhe marrin pjesë në krijimin e vlerave që vihen në shërbim të mbarë njerëzimit. Nëpërmjet arsimimit njeriu vetëdijesohet për rolin e tij në shoqëri, në jetën kombëtare dhe më gjerë. Me këtë ideal është themeluar dhe lartësuar Universiteti i Tetovës, i cili e ka krijuar dhe e krijon historinë e vet. Me këtë ideal, me këtë shpirt përkushtimi e sakrifice, punuan pareshtur ideatorët dhe themeluesit e Universitetit të Tetovës. Ata donin që shqiptarët të jetonin në një shtet të drejtë. E shteti i drejtë, sipas Platonit, i mundëson qytetarit formim të drejtë kulturor e shoqëror. Shteti i drejtë i mundëson njeriut që të shfrytëzojë mundësitë që i ofron liria. Ne jetojmë me këto ideale, që e bëjnë botën më të bukur për brezat e ardhshëm, të cilët duhet ta ruajnë këtë frymë, sepse i orienton dhe i motivon gjatë rrugëtimit jetësor. Orientimi shoqëror drejt civilizimit perëndimor ka qenë dhe vazhdon të mbetet mision primar i UT-së. Të punosh për Universitetin e Tetovës është më shumë ndjenjë përgjegjësie se sa ndjenjë privilegji. Gjatë punës si rektor e kam ndjerë si detyrim moral, qytetar dhe intelektual që Universiteti i Tetovës ta kishte një monografi gjithëpërfshirëse. “Për këtë projekt është menduar e punuar gjatë kohë. Duke e kujtuar rrugën e vështirë që kaloi Universiteti i Tetovës, ne ia dimë vlerën këtij institucioni të shenjtë. E ndjejmë se këtë institucion e kemi si testament (dhiatë) që duhet ta ruajmë përherë dhe ta bëjmë më të mirë. Përkundër obligimeve të shumta, gjithnjë kam gjetur kohë për të punuar me përkushtim në këtë projekt, që tani është finalizuar” – tha kryeredaktori i Monografisë së UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai, më tej, duke folur në cilësinë e kryeredaktorit të monografisë, tha se sot jam i lumtur që kam nderin e veçantë ta prezantoj para Jush monografinë për Universitetin e Tetovës. Sipas tij, përgatitja e monografisë ka kërkuar shumë mund dhe përkushtim, kërkime të shumta, mbledhje të materialeve e dokumenteve, punë në terren, verifikim të të dhënave, sistemim dhe redaktim të teksteve. “Monografia përmban gjithsej 15 kapituj. Kapitulli i parë sjell dëshmi origjinale mbi iniciativën për themelimin dhe fillimin e punës së Universitetit të parë të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kapitujt tjerë, nga i dyti deri tek i nënti, hedhin dritë mbi funksionimin e Universitetit të Tetovës, rezistencën e drejtuesve të universitetit përballë presioneve shtetërore, si dhe sensibilizimin e opinionit të vendit dhe faktorit ndërkombëtar për zyrtarizimin e tij. Kapitujt X-XI sjellin të dhëna për marrëveshjen e arritur ndërmjet udhëheqësisë së UT-së dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, që rezultoi me zyrtarizimin e UT-së, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për arsim të lartë, si dhe miratimin e Ligjit për Universitetin Shtetëror të Tetovës. “I nderuari z. Ali Ahmeti, Ju faleminderit për përkrahjen e vazhdueshme që i keni dhënë dhe i jepni Universitetit të Tetovës!”. Në kapitujt XIII-XIV gjejmë informata lidhur me financat, objektet mësimore, administrative dhe hapësirat tjera ndihmëse gjatë viteve 1994-2004. Monografia përmbyllet me Kapitullin XV, duke vënë theksin në mëtimin e UT-së për jetësimin e misionit të nisur nga figurat kyçe të popullit shqiptar. Ky tekst i Monografisë shtrihet në 499 faqe, mbështetet në 326 fusnota dhe bibliografi prej 295 materialeve burimore. Kjo punë ka qenë sa e mundimshme, po aq joshëse, sepse kur njeriu punon për Universitetin e Tetovës e ndjen më thellë detyrimin që ka për të mirën e përgjithshme. Kur njeriu punon me dashuri, pasion dhe me një qëllim sublim, atëherë përfiton një forcë të çuditshme. Nëpërmjet punës kërkimore dhe shkencore besojmë se kemi arritur ta finalizojmë siç duhet monografinë gjithëpërfshirëse, e cila do t’i shërbejë kujtesës sonë, do të jetë vlerësim për ata që sakrifikuan e punuan për Universitetin e Tetovës dhe do të jetë mesazh kuptimplotë për ata që studiojnë e do të studiojnë në këtë universitet. E mesazhi është se veprat e mëdha, siç është Universiteti i Tetovës, duan punë të përbashkët, mençuri, ngulmim, sakrificë dhe vendosmëri. Si nismëtar dhe kryeredaktor i monografisë isha i bindur se ishte krijuar distanca e duhur kohore për ta shkruar historinë e Universitetit të Tetovës, duke filluar nga lindja e idesë, formësimi i saj, krijimi i institucionit dhe puna e mëpastajme. Gjithë këtë proces e kemi pare nën dritën e dokumenteve dhe fakteve. Duke e përgatitur monografinë kemi rikujtuar gjithë punën e palodhshme që është bërë për Universitetin e Tetovës gjatë këtij qarku kohor. Një punë e cila meriton të kujtohet e të respektohet, sepse ky është një rrugëtim nëpërmjet vështirësive dhe sakrificave të shumta” – shtoi mes tjerash Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeredaktori Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se, duke e përgatitur monografinë kemi synuar që ta ngjallim ndjenjën e domosdoshme, se projektet e mëdha duan përbashkim e bashkëpunim ndërmjet studiuesve, me qëllim që një vepër të dalë sa më e përsosur. “Kur punojmë për Universitetin tonë, i cili do të mbetet edhe pas nesh, sepse është kështjella e ngritur dhe e përjetësuar ndërmjet sakrificës së përbashkët, duhet ta përqendrojmë mendjen dhe vullnetin tone aty dhe të besojmë se për të asnjëherë nuk kemi bërë mjaft. Se duhet të bëjmë edhe më shumë. Vetëm kështu, jo vetëm e përligjim (arsyetojmë) punën tonë, por edhe e respektojmë çdo përpjekje e kontribut për këtë universitet. Universiteti i Tetovës, për shkak të historisë së vet specifike ngjall një ndjeshmëri të veçantë në shpirtin e mendjen e shqiptarëve. Prandaj, ata nuk janë indiferentë ndaj kësaj vatre të dijes. Kjo vëmendje e vazhdueshme qytetare dhe kombëtare i bën mirë Universitetit të Tetovës. Kjo vëmendje është engjëlli mbrojtës i këtij universiteti, që lartësohet dhe do të lartësohet në vazhdimësi. Ne besojmë se Monografia për Universitetin e Tetovës do t’i motivojë në të ardhmen edhe shumë autorë të tjerë që të shkruajnë libra të kësaj përmase, sepse për këtë kështjellë drite, arsimi, kulture, arti e shkence do të shkruhet për jetë e mot. Pasi kjo monografi ka si qëllim parësor shpalosjen e një kujtese dhe historie për Universitetin e Tetovës, jemi të hapur për çdo sugjerim, me qëllim që të plotësohet gjatë ribotimeve të ardhshme. Si kryeredaktor i Monografisë, u jam mirënjohës të gjithë atyre që si pjesë e redaksisë kanë derdhur mundin e dijen në këtë projekt tani të finalizuar, kemi qenë të hapur e të gatshëm për të marrë në konsideratë çdo sugjerim, sepse të gjithë e kemi një qëllim të mirë, kurse qëllimi ynë i mirë është përkushtimi për Universitetin tonë dhe Tuajin, për Universitetin e të gjithëve. Këtë Monografi e kanë shkruar të gjithë nga pak. E kanë shkruar ata që e hodhën idenë për themelimin e Universitetit të Tetovës. E kanë shkruar ata që e formësuan projektin. E kanë shkruar ata që e jetësuan Universitetin e Tetovës. E kanë shkruar ata që e mbështetën në të gjitha mënyrat, ata që ligjëruan dhe ata që studiuan aty. Mbi të gjitha, këtë monografi e kanë shkruar ata që sakrifikuan për këtë Universitet. Me punën e tyre ata e nderuan veten dhe kombin. Ata e mbajtën gjallë frymën iluministe që e përmendëm në fillim të fjalës së rastit. E kjo frymë na udhëzon sot e mot, se një komb i lirë e i lartësuar është ai që ka dashuri për dijen, për shkencën, për kulturën, artin, si dhe punon pa reshtur që të ketë vend të merituar në familjen e kombeve të lirë e të qytetëruar, të cilët rrugëtojnë drejt së ardhmes të orientuar nga drita e shpresës, e jetës më të mire kombëtare, ndërkombëtare, por edhe individuale” – e përfundoi fjalën e tij Prof. Dr. Vullnet Ameti, kryeredaktori i Monografisë së UT-së.

Sipas recensentit, Prof. Dr. Arsim Bajrami, monografia e UT-së, paraqet një botim dhe dokumentar, ku pasqyrohet historia e vështirë e këtij institucioni, përkrahja gjithëpopullore që i dha mbështetje këtij institucioni, përkrahja e politike e partive politike, kryetarët themelues të komunave me shumicë shqiptare e deri te procesi i zyrtarizimit të plotë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. “Monografia, me të dhëna statistikore përshkruan procesin e zgjerimit të kapaciteteve akademike të UT-së vit pas viti, duke rritur numrin e fakulteteve nga 6 fillestare në themelim të fakulteteve të reja në të gjithat fushat akademike. Autorët e Monografisë me të drejtë spikatin rolin historik të ish-Rektorit, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, i cili me guximin intelektual i priu dhe ka udhëhequr procesin e themelimit të UT-së, duke u ballafaquar me represionin shtetëror, presionet e vazhdueshme dhe nënçmimet që pushteti i atëhershëm i bënte këtij institucioni. Profesor Fadil Sulejmani me të drejtë konsiderohet si një nga etërit themelues të UT-së dhe shtatorja e tij në oborrin e këtij universiteti, gjeneratave të reja do t’iu kujtojë rolin e tij historik. Po ashtu, autorët e Monografisë theksojnë rëndësinë e dëshmorit Abdylselam Emini në mbrojtje të UT-së. Me këtë rast dua ti shpreh respektin më të madh familjes së këtij martiri që u martirizua me idealin e dijes, edukimit dhe prosperitetit të kombit shqiptar në Maqedoninë e Veriut” – theksoi recensenti, Prof. Dr. Arsim Bajrami.

Ndërsa recensentja, Prof. Dr. Myqereme Rusi, njëra ndër gratë pjesëmarrëse në aktin e themelimit të UT-së, duke folur për ngjarjet e vitit 1994 tha se jam shumë krenare dhe e lumtur që jam pjesë e historisë së themelimit të Universitetit të Tetovës, por që ky universitet nuk ju ngjanë të tjerëve. “I vetmi tempull që flasim për historikun e themelimit është Universiteti i Tetovës, nuk flitet për të tjerët, se ata e kanë datën dhe vitin e themelimit që i festojnë. Kjo është krejt ndryshe, se universitetet tjera janë themeluar nga institucionet, nga fondacionet, domethënë, mënyrë krejt tjetër e themelimit, pra, ashtu siç duhet të themelohen universitetet. Ndërkaq, kjo është krejt diçka tjetër, sepse kjo buroi nga vetë populli. Iniciator ishte Prof. Dr. Fadil Sulejmani, por të gjithë ne e përkrahëm me shumë përkushtim dhe me shumë guxim deri në fund, deri sa u realizua kjo ide. Ka pas shumë peripeci, ka pas në mesin tonë shumë intelektualë shqiptarë që thoshin, nuk bëhet ajo, është utopi dhe u larguan nga iniciativa që e kishim. Mendoj, gjithkush nuk e ka marrë seriozisht këtë punë se ne do t’i shkojmë deri në fund. Punuam shumë, sakrifikuam shumë. Themelimi i UT-së, nuk ka qenë aspak e lehtë. Vetëm mbledhja e nënshkrimeve ka qenë mjaft e vështirë, 14 vetë kemi qenë atë natë në shtëpinë e haxhi Bariut, që treguan guximin dhe erdhën për nënshkrimin e aktit të themelimit të Universitetit të Tetovës” – deklaroi Prof. Dr. Myqereme Rusi.

Ndërsa, ish-Rektori i Universitetit të Tetovës, njëherit edhe recensenti i Monografisë së UT-së, Prof. Dr. Nexhbedin Beadini, i cili vlerësoi se periudha nga themelimi i universitetit nuk ka qenë e lehtë. Periudha e parë është nga viti 1994 deri në vitin 2004. Kjo është periudha më historike, më e lavdishme e Universitetit të Tetovës, sepse është periudha e rezistencës, është periudha e sakrificës, është periudha e lavdisë, e cila mbijetoi gjatë atyre 10 viteve, që të përfundojnë me një vepër kapitale, me një stoicizëm historik të Universitetit të Tetovës dhe për këtë kanë meritë studentët e Universitetit të Tetovës, kanë meritë pedagogët e Universitetit të Tetovës, në mënyrë të veçantë, pedagogët e Universitetit të Prishtinës, të cilët me këmbëngulësinë e tyre dhe pa hezituar na dolën në ndihmë që ta përmbyllim këtë vepër kapitale. Dua të falënderoj edhe pedagogët e Universitetit të Tiranës, të cilët gjithashtu na dolën në krah, që ta përmbyllim me sukses këtë vepër kaq të rëndësishme dhe historike, gjatë asaj periudhe të dhjetëvjeçarit të parë. Periudha e dytë është gjatë zyrtarizimit dhe pas zyrtarizimit, sepse sikurse themelimi edhe zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës është një vepër kapitale, për këtë arsye në mënyrë të veçantë përshëndes kryetarin e BDI-së, z. Ali Ahmeti, i cili pat guximin që bashkë me ne, ta nënshkruaj një Memorandum historik për zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës, i cili ishte një udhërrëfyes dhe një dokument i cili do të pasonte me aktin e zyrtarizimit,” potencoi mes tjerash Prof. Dr. Nexhbedin Beadini.
Në këtë promovim morën pjesë një numër i madh personalitetesh të jetës akademike, intelektuale, politike e shoqërore. Të gjithë pjesëmarrësve në këtë promovim, Universiteti i Tetovës ua dhuroi nga në kopje të monografisë.

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=1377258719384238&id=338685373241583