Në diktaturë heshtje, në demokraci skllavëri, si s’kemi turp të kërkojmë nga Zoti drejtësi!

0
286

Të frustuar dhe të shqetësuar se si arritëm në një pikë ku dëgjojmë për çdo ditë lajmet e trishta të cilat na shoqërojnë, në luftën e “paqes” të cilën ia kemi përgatitur vetes dhe në veçanti brezave të rinj! Nga më të rriturit dëgjojmë veçse përgojime për njëri tjetrin, negativitete dhe asnjëri fajin nuk e pranon dhe nuk e merr mbi vete për asgjë që na ndodh, as përgjegjësinë për të ndryshuar diçka! E si të ndryshohet gjendja jonë?! Mos vallë duhet të marrim shembull nga nëna Shqipëri tek e cila kishim shumë shpresë, tek rinia e saj segmenti më i rëndësishëm i një shoqërie, i një shteti 100 vjeçar?! Në Shqipërinë e “shpresës” në mungesë të vizionit, drejtësisë, sinqeritetit dhe transparencës, konceptit të së ardhmes dhe amullisë intelektuale, shfaqen emisione degraduese në të cilat u jepet famë e rrejshme të rinjve të disa kategorive të ndryshme dhe ate; të papjekurve, të pamoralshmëve, rrugaçëve, të droguarve, të devijuarve… etj, kështu duke i lënë në humnerë të shkëlqyeshmit, duke i lënë nën hije të harresës të devotshmit që e duan me shpirt vendin e tyre duke e kultivuar traditën dhe kulturën origjinale të ruajtur ndër shekuj… Emisione me terme të ndryshme, për të humbur gjënë më të shtrenjtë KOHËN! Për ngjarjet e ngjashme në Itali Mësuesi Italian Marco Galice duke kritikuar dhe duke akuzuar ashpër drejtuesit e programeve më të njohura televizive në Itali të ngjashme me ato në Shqipëri në mes tjerash shprehet si në vijim: “Ju keni kultivuar vrazhdësinë, injorancën, varfërinë morale dhe kulturore si modele të marrëdhënieve shoqërore”! Poashtu akuzat e tij ndërlidhen me faktin e detektimit të fajtorëve që sipas tij janë drejtuesit e atyre emisioneve të cilët kanë shkaktuar destabilizim mendor të brezave të rinj, varfërim etik dhe shtrembërim arsimor të fëmijëve! Kur të moshuarit heshtin dhe të rinjtë gjunjëzohen, vallë çfarë vlera dhe virtyte presim të kultivohen! Në diktaturë heshtje, në demokraci skllavëri, si s’kemi turp të kërkojmë nga Zoti drejtësi! Ngritja e zërit është sinonim i lutjes, heshtja kur duhet bërtitur është hipokrizi dhe marrëzi; meqë të gjithë vuajmë, të gjithë e kemi edhe pjesën tonë të fajit, të gjithë duhet të shkruajmë, të kritikojmë, të protestojmë në forma të ndryshme, pasiqë kritika është progres i garantuar i një shoqërie të shëndoshë, vetëm uji që ecën mund të pihet, vetëm pa lexim dhe pa veprim jemi të humbur, siç theksonte në një rast Dijetari i ballkanit Dr. Jakup Asipi “Pa lexim jemi qumësht i prishur, jemi popull i prishur”… ✍️ Agron Sherifi 29.11.2021