Nga Qeveria Gjermane flasin rreth takimit Macron-Vuçiq dhe ‘zgjidhjes inovative’

0
53

Ditë më parë në Paris, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka pritur në një takim zyrtar kreun e shtetit serb, Aleksander Vuçiq, me të cilin kanë diskutuar për punën e dialogut Prishtinë-Beograd, ku është përmendur edhe gjetja e një “zgjidhjeje inovative” për procesin. Njohës të zhvillimeve politike në Beograd, një iniciativë të tillë të Macronit po e shohin si një përpjekje për të vendosur në plan të dytë kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Por çfarë thonë nga Berlini zyrtar rreth këtij zhvllimi, a kishte ftesë për kancelaren Merkel që të merrte pjesë në këtë takim dhe cila ‘zgjidhje inovative’ është e pranueshme për Gjermaninë?

Këtyre pyetjeve iu janë përgjigjur nga Zyra për Media e Qeverisë Federale të Gjermanisë.

Nga Berlini thonë se bashkëpunimi i ngushtë me Parisin si dhe qasja ndaj dialogut për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë mbetet e pandryshueshme.

“Qasja e Gjermanisë ndaj rëndësisë së një dialogu për normalizimin midis Kosovës dhe Serbisë mbetet e pandryshuar, si dhe bashkëpunimi ynë i ngushtë me kolegët tanë në Paris”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë Gjermane.

Njohësi i zhvillimeve politike dhe Anëtari i Institutit për Studime Evropiane, profesori serb Sllobodan Zecevic, takimin e një anshëm të Macronit me Vuçiqin e ka parë si përpjekje për të marrë në dorë procesin.

“Macron dëshiron të dalë në plan të parë, sepse francezët besojnë që Serbia është shtet mik dhe ai me këtë dëshiron të ketë një avantazh ndaj gjermanëve”, ka thënë Zevcevic.

Zevcevic gjithashtu ka përmendur disa zgjidhje që do t’i shkonin në favor Serbisë, duke përmendur autonominë për manastiret dhe kishat serbe dhe pajtimin e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në OKB por pa ia pranuar pavarësinë.

Derisa Suzana Grubeshic nga Qendra për Politikë të Jashtme ka thënë se çështja e Kosovës do të zgjidhet në koordinim me SHBA dhe BE.

Ajo ka deklaruar se pavarësisht interesit të dukshëm të Macronit, një zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë nuk është e mundur pa Gjermaninë. Grubeshic thotë se një gjë e tillë mund të konkludohet nga fakti se sa herë Macron e ka përmendur Gjermaninë dhe Merkelin.

Ajo ka thënë se zgjidhja inovative do të ishte që shqiptarët dhe serbët të lejohen t’i zgjidhin vetë problemin.

Ky zhvillim në Paris ka ardhur në të njëjtën kohë kur Kosova dhe Izraeli kanë vendosur edhe zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike, si rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit të nënshkruar në Uashington në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nga Berlini thonë se e përgëzojnë Kosovën për njohjen nga Izraeli, derisa theksojnë se Bashkimi Evropian ka një pozicion unik sa i përket kryeqytetin të Izraelit.

“Në përgëzojmë Kosovën për pranimin nga Izraeli. Në të njëjtën kohë kujtojmë se BE ka një pozicion unik sa i përket kryeqytetit të Izraelit dhe prandaj të gjitha ambasadat e BE’së janë të vendosura në Tel Aviv”, ka përfunduar ky zëdhënës i Qeverisë Gjermane.

Në Kosovë njohja nga Izraeli është cilësuar si një moment historik, vlerësime të larta për implementimin e marrëveshjes së 4 shtatorit janë bërë edhe nga Amerika, derisa kritika të ashpëra ka pasur nga Bashkimi Evropian, Palestina dhe Liga Arabe, që nuk pajtohen me vendimin e Kosovës për të vendosur ambasadën në Jerusalem. https://korca-today.al/