Vështirë ta mendosh se si do vazhdojë jeta pas zgjedhjeve lokale; njerëzit janë mësuar të rrojnë me premtime, ndërsa të njëjtat zgjasin vetëm njëherë në katër vite, respektivisht gjatë fushatës parazgjedhore! Kur i dëgjon politikanët tanë, nëse nuk je i vëmendshëm, të bëjnë të dyshosh tek vetja nëse ke opinione të gabuara për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet vendi ynë! Ata flasin për investime kapitale në komunikacion, ndërsa në shumë vende komunikacioni jonë është në kaos total, ata flasin gjithmonë “për të ardhmen”, ndërsa ne për çdo ditë nga 20 minuta bredhim përreth banesave sepse nuk kemi parkingje, ngase na e kanë bllokuar vendin garazhat pa leje dhe ndërtimet e reja pa vendparkime dhe pa kurrfarë standardi! Ata flasin për korsi të biçikletave, ndërsa në raste emergjente ndihma e shpejtë dhe zjarrëfikësi nuk ka kushte elementare për të mbërritur në kohë në vendin e caktuar për të intervenuar! Ata flasin për pishina, ndërsa fëmijët tanë nuk mund të shkojnë as në shkollë si shkak i rrugëve të prishura! Ata flasin për ujë në shekullin 21, për gjërat elementare dhe shkojnë edhe më tej kur flasin se si do të na kthejnë natyrën e pastër – ajrin, ujin dhe kështu me rradhë, kështu duke na dëshmuar se vetë ata janë shtrënguesit e jetesës sonë dhe kur duan na çlirojnë…! Ata flasin për dashurinë ndaj liderëve të tyre nëpër tubime partiake, sikur nuk e dimë ne se çfarë do të thotë ajo “dashuri”… ata duan të na bindin që ne nuk kemi jetë pa to dhe ata na e shkatërrojnë atë kur të duan! Veni re, ata nuk janë budallenj, e dinë çfarë duan, e dinë ku ecin, ku shkelin dhe ku duan të mbërrijnë, ata kanë koncept të qartë dhe shumë të mirëpërgatitur në ideologjinë e tyre; kur ata bërtasin përpara votuesve, nuk duan që të fjeturit të zgjohen dhe të vetëdijesohen, por t’i mbajnë në gjumë, disa me ndonjë punësim, disa me premtime, disa me benificione të vogla… dhe sa më shumë analfabetë që të ketë, aq më shumë rritet pushteti i përbashkët i subjekteve, sa më shumë votues, aq më shumë kohëzgjatje e debateve se pse nuk bëhet mirë, aq më tepër shpresa dhe premtime në mënyrë që shoqëria jonë të mos ketë të drejtë të jetojë në TË TASHMEN, por ajo gjithmonë të jetojë në ILUZION dhe në një “TË ARDHME” e cila s’do të vijë kurrë nga shoqëria e cila nuk lexon, e cila shoqëri nuk e kupton se fqinji i parë është më i afërt dhe më i dashur për të se subjekti politik, shoqëria e cila nuk e kupton se përçarja vjen nga djalli dhe bashkimi në punë të mbara dhe produktive nga vetë Zoti! Nuk do të ndryshojë gjendja jonë, përderisa ta kuptojmë se ndryshimin e sjellim vetë ne duke filluar nga edukimi i fëmijëve, nga përmirësimi i vetes, nga sjellja jonë e përditshmë me të tjerët, nga shembulli ynë në veprim – kur fjala jonë do të korrenspondojë me veprën tonë dhe kur gëzimi i tjetrit do të jetë për ne po aq i madh sa gëzimi jonë! Ndryshimi vjen nga brenda – nga vetja jonë, andaj të mos e presim atë nga të tjerët duke na lënë që të jetojmë në pritje dhe duke harruar që ta jetojmë JETËN TONË!
✍️ Agron Sherifi 14.10.2021 🥀