PAPËRGJEGJËSIA, INJORANCA, AMULLIA INTELEKTUALE, NUK E PËRBËJNË SHTETIN LIGJOR, POR RËNIEN E TIJ!

0
254

Autobusi rrotullohet në rrugën e Shkupit ku 16 persona vdesin dhe shumë të tjerë lëndohen, ndërsa organet e “drejtësisë” ende nuk kanë qartësim të detajeve dhe shkaqeve për aksidentin e as fajtorin! Digjet spitali modular në Tetovë, ku flitet se ka mbi 14 të vdekur dhe shumë të lënduar, përsëri edhe pse kalojnë javë e muaj, nuk ka përgjegjësi, përkundër deklaratës së kryeministrit të shtetit që për dy javë do të caktohen dhe identifikohen shkaqet e tragjedisë ku njerëzit brenda spitalit digjen të gjallë me dyer të mbyllura dhe pa antizjarr për mbrojtje!!! Automjeti PA LICENCË kalon kufijtë dhe ndodh tragjedia e madhe ku digjet i njëjti dhe bëhet shkrumb e hi bashkë me 46 udhëtarë, ndërsa vazhdon ironia e madhe ku qeveria del me deklaratë se do të marrë masa për inspektimin e kompanisë! A duhet të flasim ende për këto absurditete dhe për këta njerëz që në çdo hap ku udhëheqin shtetin, lulëzon korrupcioni nga krimi i tyre, shenjat e tyre i dallon kudo, në rastin e aksidenteve rrugore, autobusët s’kanë licencë…! Në rastin e djegjes së spitalit, nuk ka antizjarr dhe pacientët janë të mbyllur brenda dyerve si në burgun e dikurshëm të Golli Jetok-ut! Nuk ka përgjegjësi në këtë shtet, sepse pothuajse të gjithë politikanët janë të përzier dhe të zhytur në krime dhe në korrupcion, andaj edhe ndodhin tragjeditë të cilat na lënë të shtangur dhe të pafuqishëm për t’i komentuar, të mos flasim për përballimin e tyre! Fjalët e kritikës konstruktive nuk do të mbarojnë kurrë, por unë lus Zotin e Madhërishëm që të vdekurit tanë t’i mëshirojë, ashtu dhe familjarët e tyre dhe të na mbrojë – të vetëdijesohemi, duke mos lejuar që të kemi udhëheqës të këtillë në të ardhmen e afërt, të cilët udhëheqës çdo tragjedi ia mveshin Zotit, teksa punët djallëzore i përgatisin vetë në mënyrë shumë të profesionalizuar! ✍️ Agron Sherifi 23.11.2021