Profesori i Universitetit të Tetovës në top 2% e listës së shkencëtarëve më produktiv në botë për vitin 2021 sipas studimit të Standfort University

0
38

Profesori i programit studimor të Fizikës në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore në kuadër të UT-së, Doc. Dr. Kimet Jusufi, i cili ka hyrë në mesin e 2% të shkencëtarëve më produktiv në rang global për vitin 2021 sipas studimit të Standfort University, u prit në një takim nga prorektori për arsim, Prof. Dr. Reshat Qaili dhe përgjegjësi i zyrës për shkencë dhe inovacion, Prof. Dr. Agon Memeti. Gjatë këtij takimi u diskutua për këtë studim të realizuar, në të cilin janë përpunuar të dhënat për 7 milionë shkencëtarë nga gjithsej 22 fusha shkencore. Studimi është bazuar në numrin e citimeve, artikujve shkencorë dhe disa parametrave tjerë.

Në këtë takim prorektori për arsim, Prof. Dr. Reshat Qaili në shenjë mirënjohjeje, Doc. Dr. Kimet Jusufit ia dhuroi portretin e themeluesit, Rektorit të parë të Universiteti të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.

Doc. Dr. Kimet Jusufi ka lindur më 10.08.1987 në fshatin Nistrovë, komuna e Gostivarit, ku edhe ka mbaruar shkollën fillore. Në vitin 2006 ka vijuar studimet në Institutin e fizikës në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në Shkup në drejtimin Fizikë, të cilin e ka përfunduar më 2011, me punimin me titull “Disa efekte kuantike në prezencë të stringjeve kozmike” dhe ka marrë titullin fizikant-drejtimi fizikë teorike. Pastaj ka vijuar studimet e magjistraturës në fushën e fizikës teorike në Institutin e fizikës në FSHMN – Shkup, ku në afat optimal i ka dhënë me sukses të gjitha provimet e parapara sipas planit të studimeve. Punimin e magjistraturës me titull “Paradoksi i nëndetëses dhe zgjidhja e tij në teorine speciale dhe të përgjithshme të relativitetit” e ka përfunduar dhe e ka mbrojtur me sukses në vitin 2014 dhe ka fituar titullin magjistër i shkencave të fizikës-drejtimi fizikë teorike.

Në vitin 2015 i vijoi studimet e doktoratures ne fushën e fizikës teorike në Institutin e fizikës në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në Shkup. Punimin e disertacionit me titull ”Rrezatimi i Hokingut nga vrimat e zeza si efekt i tunelimit kuantik” e ka mbrojtur me sukses në 2019 dhe ka fituar titullin doktor i shkencave të fizikës.

Krahas angazhimit në procesin mësimor, ai është marrë vazhdimisht me hulumtime shkencore në fushën e fizikës teorike, me theks të veçantë në teorinë e përgjithshme të relativitetit, kozmologjisë, dhe mekanikës kuantike. Ka botuar mbi 70 artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare të fizikës të cilat mund t’i gjeni në vegëzat në vijim:

https://scholar.google.com/citations?user=3SEfKlkAAAAJ&hl=en&oi=ao

  • https://inspirehep.net/authors/1590190?ui-citation-summary=true
  • https://www.researchgate.net/profile/Kimet-Jusufi
  • https://www.scopus.com/authid/detail.uri?authorId=56884719300

Po ashtu ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore, ka qenë recensues i shumë revistave shkencore dhe bashkautor i librit “Përmbledhje detyrash të zgjedhura nga gara të fizikës” (Libri 2), Shoqata e fizikanëve të Maqedonisë, Shkup 2016.

Nga viti 2012-2020 ka qenë i angazhuar si asistent dhe ligjërues part-time në Universitetin e Tetovës dhe njëkohësisht nga viti 2013-2020 ka punuar si profesor i fizikës në gjimnazin e Gostivarit. Më datë 22.12.2020 ka marrë thirrjen docent në Universitetin e Tetovës.

Përveç sukseseve të lartpërmendura, Doc. Dr. Kimet Jusufi, më 23 dhjetor 2020, nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Stevo Pendarovski, është shpallur shkencëtari i vitit.