‘Qeveria e Ahmetit’ zbarkon në Prishtinë!

0
84

Këtë fundjavë  kryeintegristi Ali Ahmeti me eskortën e tij të ministrave shqiptarë nga kabineti qeveritar i  premierit Dhimo, zbarkoi në Prishtinë, ku u prit nga kryeministri Kurti, vizitë kjo që dukej sikur ishte taksur për një takim të pa caktuar nga agjenda mes dy qeverive.Në të vërtetë vizita e befasishme e integristëve në Prishtinë    dhe takimi me Albin Kurtin shihet si një përpjekje për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Albin Kurtin përmes këtij takimi që është më shumë për efekt propagandistik sesa takim pune mes liderëve shiptarë.
Si duket Albin Kurti pasi mori pushtetin po e dredh politikën si ngjalë  e zhdërvjelltë, ku gjithnjë e më shumë po shfaq fleksibilitet me pushtetarët shqiptarë të  ‘Severnës’ kur dihet se dy vjet më parë bënte thirrje hapur ku thoshte se që të fitojnë shqiptarët duhet të votojnë për opozitën.


Pozimi i Albin Kurtit me Selën një vit më parë gjatë fushatës zgjedhore nëpër Kosovë tashmë është një kujtim i hidhur dhe se pllaka e gramofonit në altoparlantin e qeverisë së Kosovës tashmë shpërndan të tjera mesazhe që i japin prioritet ‘armiqve të djeshëm’ që sot quhen ‘vllaznit’ qeveritarë shqiptarë të ‘Severnës’ dhe jo ata të opozitës shqiptare, pasi sipas Vetëvendosjes pragmatizmi në politikë është mbijetesë kur aleancat vendosen me ata që janë në pushtet dhe jo me opozitën.


Kësisoj, Ali Ahmeti shfrytëzoi këtë moment ‘të çarjes’ mes aleancave të panatyrshme me  VV-ASH-AA me orientime të kundërta ideologjike që nuk zgjati shumë, jo për faktin se nuk i përafronin programet por ndërruan raportet kur ‘jeniçerët’ e VV morën pushtetin dhe se nacionalistët e Selës  në opozitë nuk i shërbenin më qëllimit të tyre pasi pushteti tashmë ishte i tëri i tyre.


Karta e zverdhur nacionaliste e dal boje dhe premtimet e bujshme  për arrestimin dhe burgosjen e ‘oligarkëve hajna’ nuk është më lajmi i ditës së Albin Kurtit, ku ai çdo ditë e më shumë po rrëshqet në të djathtë si me qëndrime ashtu edhe me program qeveritar duke shkelur premtimet dhe programin e Vetëvendosjes si lëvizje e së majtës.
 Politikat sociale të së majtës që promovonte Vetëvendosja gjatë fushstës siç janë të drejtat e punëtorëve, ndihma e shtetit për bujqit dhe pensionistët, premtimi për ta ç’kapur shtetin nga hajnat si karremi më i mirë para qytetarëve ishte mjeti që do arrinte qëllimin dhe ia arriti.
Albin Kurti është bindur tashmë dhe ka parë sesi është më mirë për të që të lidh miqësi të reja me të fortin që do të thotë ata që kanë pushtetin në ‘dërzhavën’ fqinje siç është ‘Severna’, sesa me një opozitë shqiptare të shpartalluar që nuk arrin dot prej disa cikle zgjedhore ta mposht Ali Ahmetin dhe integristët.


Ndaj, vizita e eskortës së Ali Ahmetit ishte thagma e ditës ku shihet më shumë si një lidhje e re aleancash sesa takime pune siç u raportua nga media të ndryshme për heqjen e ndalesave mes dy vendeve nga masat e qeverisë së Kosovës ndaj Covidit-19 si dhe intesifikim i marrëdhënieve për ndërtimin e rrugës dhe tunelit Tetovë-Prizren.

Pra, kjo ishte vizita me një rrugë e dy punë!       

Shkruan për INMEDIARES:

Medai Shaholli