Reagimi i Yuri Kim/ Çfarë shkoi keq me intervistën e Escobar?

0
33

Pas intervistës së Gabriel Escobar, duket se pritshmërite e ambasadores Yuri Kim nuk janë plotësuar për mënyrën se si e kanë lexuar mediat dhe qytetarët në rrjet. Ajo ka reaguar me stilin e Ramës duke sulmuar gati drejtpërdrejt opinionistët me një status ku thotë: Mos lexoni “Spin doktorët”, por lexojeni intervistën e Escobar, duke sjellë disa momente të saj.

Por çfarë shkoi keq në fakt me këtë intervistë që Kim reagoi? Megjithëse intervista në VOA, më shumë se mbështetje për Bashën, ishte një “sponsorizim” për ambasadoren dhe qëndrimet e saj, ajo prapë solli disa probleme morale për vetë reputacionin e të intervistuarit dhe vetë ambasadores, pasi gazetarja e VOA ishte shterruese në pyetje dhe argumente duke bërë që Gabriel Escobar dy- tre herë të thoshte disa të vërteta. Të vërteta që në fakt nuk ishin qëllimi i intervistës. Qëllimi i intervistës ishte për të përsëritur se Escobar është me Bashën dhe ka marrëdhënie të mirë me të.

Por konstatimi i gazetarese së VOA, se vendimi i DASH riktheu Berishën aktiv në politikë dhe me shumë mbështetje, e gjeti të papërgatitur Escobar, i cili tha se mund të jetë kështu, por nuk besoj se ka ndikim elektoral. Por gazetarja e VOA nguli këmbë se zhvillimet po tregojnë se Berisha ka shumë mbështetes. Escobar, i surprizuar nga këmbëngulja e gazetares, tha: Po, mundet.

Kjo ishte “surpriza” e parë negative për Yuri Kim, pasi ajo sigurisht që ka raportuar në DASH që Berisha nuk ka mbështetje.

“Surpriza” e dytë negative për Kim ishte tërheqja e Escobar nga presioni me sanksione ndaj atyre që nuk mendojnë si ata. I pyetur nga VOA për Berishën dhe ‘non grata’, ai tha se nuk dua të komentoj për të dhe se nuk dua që SHBA të angazhohet në Shqipëri me sanksione. Kjo deklaratë në fakt ishte më e rënda për të gjithë rrethin e Bashës, që në emër të Kim kërcënojnë me sanksione këdo që mbështet Berishën. Kjo deklaratë kishte edhe një domethënie tjetër: Pranim i faktit që sanksionet pa fakte të kthehen në bumerang dhe bëjnë efekt të kundërt. Rikthimin në politikë me më shumë mbështetje të sanksionuarit pa fakte.

E thënë më qartë, duket se Kim u investua për këtë intervistë si mbështetje ndaj Bashës, por që në fakt nxori në pah nga goja e Gabriel Escobar se raportimet e saj në DASH kanë qenë një mashtrim përsa i përket Sali Berishës, se ai njeri është një pensionist pa përkrahje politike.

Edhe deklarata se nuk duam të angazhohemi në Shqipëri me sanksione është sërish një goditje për Yuri Kim dhe mënyrën se si ajo ka këshilluar eprorët e vet për të tulatur opozitën pas vjedhjes së mandatit të tretë nga Edi Rama edhe me mbështetjen e vetë ambasadores Kim. Kemi parasysh këtu tradhëtinë që i bëri Kim opozitës për marrëveshjen e 5 Qershorit.

Këto pyetje nga VOA dhe përgjigjet e detyruara nga Escobar në fakt hodhën ne erë qëllimin e intervistës, atë që Escobar është me Bashën. Një gjë dihej edhe pa këtë intervistë, por që në këtë intervistë u la të kuptohet, se Kim ka bërë raport jo real në DASH dhe kërcënon me sanksione këdo që nuk i bindet asaj pa lejen e DASH. /bna.al