REX Unificat Populum!

0
233

Shkruan: Florim AJDINI

̎Shqiptarëve të shekullit të ri,  u duhet një opsion politik i   ̒soft power-it monarkik, pro forma‘, për të përmirësuar, forcuar madje edhe unifikuar përfundimisht trungun e tyre politik  kombëtar, si popull  me identitet dhe  kulturë të kodifikuar  Europiane!“ 

Sot kur shqiptarët kanë dy shtete sovrane, ato janë më të përçarë dhe me më pak strategji rreth avansimit dhe forcimit të interesave gjithkombëtare se kurrë! Ato janë më të shkapërderdhur se kurrë, madje edhe kur është fjala për konsolidim interesash politike dhe ekonomike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe  asaj të  Kosovës! Në rrethanat e reja të krijuara pas viteve të 90-ta, të njohura si  ̎epoka e  kthimit në përqafimin e botës së civilizuar perëndimore ̎ ,  perceptimet  e këtilla  të strategjive politike,  duket se kalojnë nëpër një anakronizëm  të pacipë,  me aleatët tanë strategjik! Është kjo koha e një absurdi të politikave nihiliste, që sa vijnë e shtohen, kur shqiptarët madje lidhin marrëveshje me shtet që nuk njeh pamvarësinë e Kosovës martire! Paritë e tyre në heshtje dhe në emër të dashurisë për atdhe, në mënyrë pasive shëndrohen në  ̎vazalë të fuqive të treta ̎ që synojnë rikthimin e vrasësit  në vendin e krimit!  Janë këto koncepte politike që tanimë kanë lidhur marrëveshje paradoksale me shtete liderët e të cilëve janë ujqër të  motshëm të veshur me lëkurë qingji! Si për çudi, shqiptarët në emër të lojrave të rrezikshme “a la franca apo a la turca”, i bien fyellit mbi shportën në të cilën ngre krye për të vallëzuar, cobra e  vjetër helmuese! Por shqiptarët janë të    ̒trajnuar ̒ dhe   thjeshtë mendojnë  që  ajo nuk i kafshon! 

Ishte ky një përshkrim i  ̎limbos politike multidimensionale shqiptare ̎, në të cilën po ndodhemi me shekuj dhe  posaçërisht dekadave të fundit,  pas rënies së Komunizmit. Një dramë shumëaktëshe kjo, regjisori i së cilës jemi vetë ne dhe normalisht aktoret e veshur me kostumet dhe maskat nga më të çuditshmet, përkatësinë e origjinës së të cilëve nuk do e deshifronte as antropologu më i famshëm që njohu bota ndonjëherë!  Ndërsa inteligjenca shqiptare, intelektualët dhe mendjet e kllapitura të tyre, nga heshtja që shpalosin aktet e tragjikomedisë sonë gjithkombëtare, symbyllur dhe në trans logjik, thellë në vetëdijen e tyre,  kërkojnë alternativë për shpëtimin kombëtar! Pushtetet vijnë e shkojnë! Ata janë të njëjtë dhe gjithnjë të tillë kanë qenë! Askush punon në projekte madhore të interesit të përgjithshëm kombëtar për një plan B, që një ditë, herët ose vonë do na trasonte rrugën e shpëtimit! Ata janë të shurdhër, ata janë të verbër, ata thjeshtë bëjnë politika ditore!

Janë këto Don Quixotët e Servantesit të madh, që bëjnë betejën e tyre me mullinjtë e erës. Këto gjigantë që nuk i gjunjëzon kush. Këto gjigantë që fortunën dhe pluhurin e shkretëtirës që ajo ngre lartë në qiellin tonë të kaltërt, po  drejtojnë botën tonë dhe  ardhmërinë tonë si komb,  edhe më tepër drejtë greminës së apokalipsës ! Andaj, sikur të pyesnim Nostradamusin, këtë fatparashikues të famshëm të mesjetës, se cili do ishte fati ynë si komb, cila do ishte ardhmëria jonë si identitet dhe si shtet,  vështirë se fuqia e magjisë së  mendjes së tij të madhe,  do ta gjente një emërtim, cilido që ai të ishte! 

Ta lëmë pas diskursin e  kësaj Filozofie  të  absurdit   dhe t‘i kthehemi realitetit të mendimit racional politik i cili sa vjen e shterret ndër shqiptarë! Realitetit  që bota e civilizuar perëndimore njohu para shekujsh. Realitetit të mendimit racional multidimensional të kontrolluar nga politikbërje të bazuar mbi vlerat morale dhe etike të një Deontologjie që për promotor të vlerave morale kishte imperativin kategorik të Kantit të madh.  Qasje kjo që paudhësinë e kombeve të tyre,  arriti ta  vendos ne binarët e duhur të konsolidimit kombëtar, forcimit dhe avansimit  të tij multidimrnsional si shtete  sociale, pro forma të udhëhequra  nga monarkitë e tyre që kombin dhe identitetin e tij, vëndosin mbi të gjitha. Një shembull që historia e shkroi më shkronja të arta, ishte ai i Henri-t të  VIII-të i  Tudorëve, që në shekullin e XV-të, atëherë kur në interes të forcimit dhe pamvarësimit të mbretërisë së tij,   u nda nga Vatikani për të themeluar Kishën Protestante Anglikane.  Kishën që kombin dhe interesat e tija do  i ngriste në piedestal. Në shekujt që lamë pas, reforma dhe arritje të këtilla regjistruan popujt qe sot i gjejmë në panteonin e popujve të ndritur, ku inteligjenca jonë gjithkombëtare  shqiptare,  do të dëshironte të ishte. REX Unificat Populum, do ishte ideja e tyre puritaniste që do ofronte pastrim multidimensional të pluhurit dhe mbeturinave që u shtersuan në trupin dhe mendjen tonë gjatë shekujve dhe dekadave të territ,  që lamë e po lëmë pas. Një purifikim etnik dhe religjioz sipas  ̎modelit soft power.  ̎  Një rrugë kjo që ndoqën  vendet e përparuara demokratike si;  Belgjika, Holanda, Danimarka, Monaco, Mbretëria e bashkuar, Suedia, Izraeli, madje edhe  disa emirate Arabe.

Të gjitha kishin një koncept të përbashkët i cili përfundoi në njohjen e  kombit, njohjen e gjuhës, njohjen e identitetit të tyre të vjetër, përfshirë këtu veshjen, sjelljen, doket e vjetra, nga vetë Zoti. Dhe monarku këtë edhe më shumë e respektone, ai/ajo këto arritje edhe më shumë i fuqizonte, ndersa monarkitë e tyre, forcoheshin gjithnjë e më shumë, sepse vetë Perëndia i kishte bekuar!  Asnjëra prej këtyre monarkive konstituciinale demokratike, sot nuk heziton të flasë për tema të këtilla! Çështë  e drejta ato edhe as që kanë nevojë të merren me çështje si këto, sepse ato ka kohë që i kanë zgjidhur. Jemi të vetmit ne shqiptarët ato që na ndjek maksima e fuqishme e Konicës së madh, që sjell pendimi i vonë! … kur do t’i jemi dorëzuar dreqit të mallkuar,  atëherë kur nuk do flasim më për atë që duam, apo që deshëm, atëherë kur nuk do e njohim mirë as vetveten, nga erdhëm, kush ishim, nga shkuam dhe ku do përfundojmë! Një sagë disfiguruese identitare  të cilës STOP askush nuk mund t’i thotë! 

Për lexuesin tim të rrallë, një aventurë e këtillë mbi një rrugë plot gjëmba e gurë që të përgjak shputat e këmbëve,  që do kishte një epilog eventual ngadhnjyes.  Mund të ishte një diskurs apo plan sharlatanesk, mund të ishte një  rrebesh fjalësh të shprazta, pa vend e pa kohë! Por jo. Sepse Historia vetë njohu rrugëtimet e popujve të lartëpërmendur. Kështu ajo bekoi popujt dhe mbretëritë e tyre, duke i bërë ato shtete që sot si do thoshte populli ynë “as topi nuk i derdh.”

Këtë rrugë ndoqi Mbretëria e bashkuar që nga viti 1707, me të famshmin Akt Parlamentar të Bashkimit (The Act of Union)  ndërmjet Anglisë, Skocisë dhe Wales-it,   që më pas do pasojë edhe me  aneksimin e Irlandës veriore! Një fuqizim i këtillë i bashkimit të këtyre vendeve, nuk mbetet me kaq! Në shekujt që pasojnë, Mbretëria e Bashkuar krijon Commonwealthin. Një bashkësi shtetesh me sistem të Monarkive demokratike kushtetuese, që karakterizohen me ekonomi stabile dhe   Bruto Prodhim Vendor,  ndër më të lartët në botë. Një standard jetese i lartë për popujt gjegjës. Është ky sistem politik i kombinuar ku Monarku është pjesë formale e një sistemi demokratik kushtetues i cili “udhëheq me shtetin.” Ai ose ajo,  së bashku me  Familjen mbretërore të një dinastie të caktuar, paraqesin   subjekt admirimi, bashkimi dhe prestigji, që ngre në piedestal shtetin apo mbretërinë e tyre demokratike. Koncept ky i një kombinimi demokratiko-monarkik pak i çuditshëm, por që arrijti rezultate të shkqëlqyera në konsolidimin multidimensional të mbretërive demokratike konstitucionale, të sipërpërmendura. 

Po një model të njëjtë përdori edhe një shtet i vockël, me sipërfaqe madje më të vogël se Shqipëria, por me një emër të madh dhe  më një ndikim të shkëlqyer global. Një shtet me lokacion në Azi, por që me mentalitet dhe identitet, i përket  botës së   civilizuar perëndimore.   Është ky Izraeli, që sot njihet si Monarkia ose Mbretëria e Bashkuar e Izraelit. Një Mbretëri e përbërë nga vetë Izraeli dhe Judea. Një akt që  në rastin konkret është gjenerues i një fuqie të madhe patriotike për këtë popull, për vetë faktin që akti i bashkimit  madje është regjistruar edhe në Librin e shenjtë të Torah-së Hebreje! Një akt para të cilit në respekt dhe dashuri për mbretërinë, gjunjëzohet  gjithkush. Edhe atë, jo vetëm në Izrael, por në tërë globin, ku jeton madje edhe një hebrej i vetëm! 

Si ideologë, si mendimtarë, si studjues, si mendje  të globalizuara, si patriotë, si bijë e bija të një kombi ndër më të vjetrit në Europë do të pyeteshim! Ku qëndrojmë ne shqiptarët në koordinatat e këtilla të Strategjive  gjeopolitike që, tani për tani,  botën e tyre të  vogël e kanë kufizuar në oborrin e tyre të varfër dhe pa perspektivë të qartë në rrafshin  ndërkombëtar.   Ndjekja e modelit Anglo-Saxon, atij Austriak,  Freng, Danez, apo Hebrej, do ishte një mësim i mirë që do na shpjente në rrugën e një konsolodimi dhe bashkimi të sigurtë mbarëkombëtar.

Një hap i këtillë, duhet marrë nga ana e Inteligjencës dhe Akademive tona të shkencave, përfshirë aty edhe qeveritë e dy shteteve tona sovrane! Subjekte këto, që për herë të parë, do fillonin të mësonin nga të tjerët se si           arrihen gjërat madhore.  Normalisht që një ide e këtillë, nga lexuesi im do kualifikohej si “e çmendur, e pakrypë, madje naive sa më s’ka“, por prapëseprapë, shikuar,  analizuar dhe perceptuar ajo në thellësitë e saja,  do ishte një plan afatgjatë që do konsolidonte kombin në përgjithësi. Një rrugë që do trasonte ardhmërinë tonë mbi një fundament stabil sa më s’ka. Një fundament të emërtuar si: REX   Unificat   Populum! 

I lëmë pas paragjykimet për Dinastinë Leka, që mbretëroi  Shqipërinë për një periudhë relativisht të gjatë. Dinastinë që synoi vëndosjen e vendit në binarët e botës së civilizuar perëndimore. Nuk ishte perfekte! Është e qartë. Të rrugëtojmë pak në antikë. Mbretëresha Teuta dhe Agroni, ishin faktorë në rajon, për  atë  botë të largët. Të rrugëtojmë  në mesjetë, në kohën e Arbërisë, princërit e Muzakajve, Topiajve, Skurrajve, Eiprotëve, lanë  gjurmë të thella  me  aftësitë të shqiptarëve për të mbrojtur principatat e tyre. Ndër ta Gjergj Kastrioti, që për dekada,  sfidoi Otomanët.  I kemi pasur madje më shumë se sa shumë fqinjë tanë.  Janë këto fakte të gravuara në gurë, që nuk i fshin dot historia, që nuk i fshin dot as vetë shqiptari, as ato që gjithnjë synuan të na zhdukin si komb dhe si gjuhë!

 Miqtë e vjetër, tanimë janë  rikthyer! Tani ose kurrë. Dy shtetet tona sovrane duhet menduar më thellë ardhmërinë e kombit dhe konsolidimin e tij, nëpërmjet të politikave të përbashkëta, duke i ngritur ato mbi politikat lokale dhe rajonale në vend. Rikthimi formal i Dinastisë Zogu“, do ishte hapje e dyerve drejtë zhvillimeve të reja që do synonin konsolidimin gjithkombëtar në rrafshin multidimensional të shqiptarëve. Ato do riunifikonin Shqipërinë dhe Kosovën në një Mbretëri Formale Kushtetuese të bashkuar të shqiptarëve. Një bashkim i këtillë sipas modelit të Monarkive Kushtetuese Demokratike,  do tërhiqte si magnet shqiptarët kudo që jetojnë në Ballkan dhe më gjërë.  Shtëpia mbretërore e Zogu-t, rikonstituimi formal i Monarkisë shqiptare, do kishte jehonë të fuqishme për gjithë shqiptarët anë e kënd botës. Ajo  do funksiononte sipas modeleve të Monarkive kushtetuese Europiane ku Monarku, nuk përzihet në  vendimet e ekzekutivit të Qeverisë, por thjeshtë, me fjalë të pakta, Monarkia do shërbente si bashkues i shqiptarëve, në një Mbretëri Kushtetuese formale.  Fuqia  egzekutive e Mbretit apo Mbretëreshës do të ishte në minimum. Efikasiteti i saj është provuar në të gjitha Monarkitë Kushtetuese Europiane, si forma apo modeli më efikas i qeverisjes. Kjo sepse Monarkia dhe monarku sjell stabilitet dhe bashkim, duke eliminuar interesat politike grupore! Ai është i emëruar për periudhë të gjatë kohore të qeveris formalisht vendin, që në praktikë arrihet deri atëherë sa të vendosë të vetëtërhiqet, apo pas aktit të vdekjes se tij eventuale.    

Një qasje e këtillë,   do t’i jepte Shqipërisë dhe Kosovës, më shumë sens bashkimi në një Mbretëri të vetme formale, do t’u jepte më shumë  stabilitet, krahasuar me modelin republikan ku premieri  i qeverisë, nëpërmjet zgjedhjeve ndron shpesh, duke bërë kështu që shteti të destabilizohet, ndërsa për pasojat,  llogari të mos paguajë askush.  Efekti i këtillë do ishte edhe më i fuqishëm për vetë faktin që Mbreti  është shqiptar dhe  Mbretëresha, poashtu. Një pikë e fuqishme, që edhe më shumë do forconte unitetin e Mbretërisë së Bashkuar të Shqiptarëve! Një  medol ky për ta menduar. Një rrugë kjo që do çonte drejtë forcimit të   ̎faktorit shqiptar“, në Ballkan dhe më gjërë. Një hap ky, që shqiptarët do i mbronte nga devijmet dhe ndikimet e dëmshme që sot po depërtojnë nga të gjitha anët!  Do i poziciononte ato në gjirin e Familjes së madhe Eurpiane, aty ku si komb, kemi synuar gjithnjë të jemi.