Sapiosexual, Politosexual apo që të Dyjat?!

0
250

Florim V. AJDINI

Dy terme formalisht të panjohura për lexuesin tonë të rëndomtë e të rrallë, por të ‘njohura dhe të papranuara’, në praktikën e funksionimit të tyre, në jetën e përditshme! “Formalisht”, madje të panjohura gatise tërësisht, ndërsa “esencialisht, të njohura ‘par excellence.’  Dy terme, në luftë të ashpër, me njëra-tjetrën, me pasoja nihiliste  për të parën!  Dy terme të ekstremeve më të çoroditura dhe dekadente të mendësisë njerëzore, që komandojnë pikën  neuralgjike të ndeshjes fatale, ndërmjet racionalitetit dhe iracionalitetit tonë logjik. Këtë linjë kaq të hollë të mendësisë  sonë hipotetike, që në heshtje makabre,  sillet gjithnjë ndërmjet dy ekstremeve të përditshmërisë së  jetës sonë sfiduese! Që të dyjat qëndrojnë nën ombrellën e stuhisë së  një interaktiviteti të fuqishëm, që thuhet se funksionon si sistem vlerash morale etike “inegzistente”, për shoqërinë në të cilën jetojmë.  Vlerash që mbisundojnë shoqërinë e cila sillet sikur nuk njeh gjë nga operativiteti i  tyre argresiv, tanimë,  dalë jashtë kontrolli!

I pari (sapiosexualiteti), i anashkaluar, i injoruar, i përbuzur, i përgojuar dhe i satanizuar sa më s’ka! Kjo, sepse nuk ka bazë dhe perkrahje të etikës së tij të bazuar në komandën apo parimin e artikulimit të vlerave, bazuar mbi logjikën dhe kognicionin racional të Kantit. Parime etike këto,  mbi vlerat morale të një nuhatje të hollë si individuale ashtu edhe kolektive, që tanimë  për dekada  qëndrojnë si pjesë integrale e një  identiteti të kodifikuar,  mbi vlerat morale  të shoqërive perëndimore!  Shoqëri këto, që tanimë me shekuj po funksionojnë bazuar në  respektimin  dhe kultivimin e tyre  multidimensional, që avanson dhe përsos edhe më tepër përparimin e shoqërive në fjalë. Shoqërive  të bazuara në fuqinë e ligjit të së drejtës, barazisë së njëjtë për të gjithë para tij, dhe  pushtetin e meritokracisë multidimensionale të themeluar mbi vlera reale që nuk njohin artikulime publike të hipokrizisë që na rrethon dhe sundon tanimë për dekada.  

Janë këto shoqëritë e mendjes racionale dhe respektimit të vlerave morale, që në popullorçen tonë,  do interpretohej sipas clichéeve  të tipit; “djalit ose vajzës së pari matja mendjen dhe më pas të tjerat!” Një koncept kompleks që perfshin të gjithë segmentët e shoqërive në fjalë! Aq më tepër  një koncept  devizë për sukses në shoqëritë që udhëhiqen nga sapioseksualët, aq të nevojshëm, por ‘gatise inegzistent’ në rrethanat e mjedisit ku jetojmë sot! Kjo kategori e të dashuruarve në bazë të këtij parimi, sot haset nga pak gjithandej, por jo edhe në kierarkinë e komunitetit politikbërës dhe udhëheqës institucionesh të një shteti. Në nivelet e këtilla, vlejnë rregulla krejtësisht të tjera. Një fenomen që tek ky komunitet, nuk përfshin as 0.001 të rasteve, ku lidhjet martesore apo konkubine sapioseksuale, janë realizuar nga  bekimi i  lëshuar madje ngë vetë Perëndia!  Madje këto të dytat, si edhe dikurë ashtu edhe sot, dhe  për fatkeqsinë tonë, janë vetëm për ‘përdorim të njëhershëm!’

Pra, në rrethana tona, sapioseksualët nuk përfshihen gatise aspak në pozicione prestigjioze të modelit “force majeure.” Kjo, jo sepse ato nuk e dëshirojnë këtë përfshirje, por thjeshtë, sepse atyre qasja në këto nivele, paraprakisht u nënshtrohet  filtrimeve jozyrtare, ku personat e këtij komuniteti, analizohen dhe paragjykohen, madje në detaje nga më të imtat, normalisht nga pushtetmbajtësit  politoseksualë! Thjeshtë, një relacion i heshtur ndërmjet dy taborëve,  një  gjendje  qartë e definuar,  ku lidhjet ndërmjet kategorisë së parë, pra ato të sapioseksualëve,  paragjykohen në heshtje  ndërsa partnerët, shtypen dhe izolohen, për të mos mundur të gjejnë veten në një shoqëri që veten njeh si sistem vlerash i cili funksionon në baza të një meritokracie, që fatkeqsisht, tanimë për dekada, nuk është gjë tjetër përveçse një ‘fantazmë gënjeshtare multidimensionale.’ Të jepet përshtypja sikur ‘filtrat e heshtur të pushtetit’, targetojnë për shkatërrim parimin e  fuqishëm të diturisë si vlerë që sundon botën, dhe sipas së cilës, në formë  konvencionale janë lidhur martesat dhe aferat e ashtuquajtura të ‘klasës së dytë të qytetarëve’! Një konstatim tej mase i rrezikshëm, që nuk njihet nga merirokracia si  sistem vlerash, në bazë të cilit funksionon bota e civilizuar perëndimore. 

Është kjo pika e vlimit ndërmjet dy kategorive që u përshkruajtën më sipër! Politoseksualët, komuniteti anakronik i sapioseksualëve. Një dyluftim ku ndeshen vlerat shkencore dhe morale të sotme dhe të shekujve të kaluar, me ato to burokracive politoseksuale, që funksionojnë sipas terqeve utilitariste, autokrate, komanduese, nipotisto-proteksioniste e çka më jo, që në fakt po kllapisin frymëmarrjen e shtetit ligjor meritokracist të drejtësisë.  Këtu, gjithçka funksionon sipas parimeve të konvencionalitetit te komandave dhe parimeve hipotetike të etikes dhe moralit. Thjeshtë, konvencionaliteti në institucionin martesë, gjithnjë artikulohet sipas interesave multidinensionale, me ç’rast në fokus janë synimet herostratiste të lojtarëve të akteve banale të dramës,  të cilët rezultojnë me ‘privilegje të merituara’, temelet e së cilëve nuk i prek dot kush!

Është ky fenomeni  i funksionimit dhe jetesës së qenieve  politoseksuale! Më i fuqishmi, më i përfaqësuari, më i përqafuari, më i jargëzuari, më përfidi, në shoqërinë tone, por edhe  më i pamposhturi, i cili nën ombrellën e tij të pushtetit, ngërthen “kushtetutën ku përfshihen miliona nëpërkëmbëza të natyrës herostratiste.” Kësaj makinerie komplekse të pushtetit mbi popullin që s’bën za!  Rezultatet e një menaxhimi të këtillë të shoqërive, në ditët tona, janë fenomene multidimensional që përfshijne segmentet nga ato më qëndrorë deri tek ato më periferikë të shoqërisë ku jetojmë. Një makineri me një nomenklaturë instrumentesh të përsorura, që punën, arritjet, veprimet, drejtësinë, premtimet e dhëna, etj., i realizon nëpër mediumet që kontrollon ekskluzivisht vetë, nga të cilat, nuk të rastis të dëgjosh diçka racionale dhe morale e etike, përveç deklaratave dhe narrativeve të inzhinjeruara sipas parimeve të flashkëta  të hipokrizisë së skajshme që të rikthen fantazmën e trishtë dhe të dhimbshme të komunizmit! Demokraci komuniste, do thoshte një filozof provincial! Por pse jo edhe një Sartre, Kant, Heidegger, apo Camus? Sistemit që tanimë, për do dekada,  po na paraqitet veshur në petkun e identifikuar të politoseksualëve, që me kravatat coco-channel dhe kostumet Versace, sundojnë ashpër, por në heshtje,  botën tonë të  sapioseksualëve të izoluar! 

Kësaj kategorie, që edhepse e pakët, ajo e ç’përfillur, e denigruar, e zhveshur nga dinjiteti profesional dhe njerëzor, prapëseprapë, vazhdon të egzistojë në shoqërinë  që kontrollon pushteti  kostumeve dhe kravatave, siç do  thoshin vëllezërit tonë anës tjetër të kufirit “firmato”, te pushtetit të makinave luksoze, ku politoseksualet,  në konfortin më  gallant, sillen vërdallë rrugëve dhe institucioneve tona. Pushtetin e bijëve dhe bijave të tyre të baballarëve të pozicioneve të larta, që i kanë dyerët hapur, kudoqë te shkojnë. Të bijëve të tyre, që imitojnë cliché-të e veshjeve dhe sjelljeve perëndimore, banaliteti i të cilëve, nuk është tjetër por “bukuria që vret” e Migjenit  të ditëve tona. 

Sikur kjo ‘mendje e madhe kombit’, sot të sodiste aktet e dramës së tyre shumëaktëshe, nuk diskutohet që ajo më së  shumti do të inspirohej nga  “pesha e madhe e kokës” me të cilën  këto individë,  në demens të tërësishëm nga dehja që ua ofron konforti dhe privilegjet, identifikojnë vetveten dhe krenarinë e tyre, për të mirat  e bëra, dhe normalisht thirrjen në faktin e absurditetit më të madh që njeh mendja racionale, “ndërtimin e  shoqërisë,  ku të gjithë janë të lumtur.”  Dhe sa më shumë që koha kalon, ata i gjen gjithandej, ata i takon në çdo cep e rrugë të vendit tënd që aq shumë e dashurove, të vendit tënd rrugët e të cilit janë shprazur, ndërsa përderisa ec në këmbë, për të rikthyer të kaluarën, ku siç do thoshte ndonjë plak i urtë,  “së paku kishte pakës njerëzillëk”, do ndeshesh me silhoutetat e tyre ‘të mshefura’ në makina të shtrenjta,  trazojnë në  fluturim trishtues,  sorrat e rrugëve, që ia msyjnë qiellit për shpëtim!   

Është kjo, një  makineri komplekse vlerash konvencionale,  hipotetike të bazuara kryekëput mbi parimet e logjikës kognitive të politikberjes iracionale.  Impakti i këtij sistemi vlerash dekadente, është i natyrës konvergjente dhe thirret në egocentrizëm pasiv, i cili karakterizohet nga synimet aktive te heshtura,   për të kontrolluar më të brizhtën, më të shenjtën, më të drejtën, më sublimen e natyrës njerëzore. Në shikim të parë, nje front që nga politoseksualët do kerkonte sakrifica marramendëse për të siguruar fitoren mbi këto vlera, por që në realitet  si për çudi, po duket qartë një akt i kryer, përpara të cilit qëndrojnë sapioseksualët e heshtur  të mjedisit tonë të bjerrë, me sytë e zgurdulluar dhe gishtin në gojë!

Një bashkëpunim ndërmjet sapioseksualit dhe politoseksualit, është i pamundur! Një qasje kognitive e tipit absurdist, për të shpalosur së paku një xixë të vetme që do ndriçonte terrin në të cilin jetojmë,  do ishte betejë ndërmjet klasave që fundi nuk do i gjendej dot.  Ata janë dy botëra të kundërta. Ata janë  dy kontradita të mëdha anakronike që si meteorë,  sillën në hapsirën tonë, të cilën maksima  e të madhit Einstein, mbi ‘marrëzinë njerzore’,  edhe një herë fuqimisht dhe bindshem po vertetohet!