SHBA zotohet për mbështetje ndaj Kosovës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes!

0
35

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zotuar për mbështetje ndaj Kosovës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Kështu ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes në një postim në Facebook, pas vizitës së ministrit Armend Mehaj në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Njoftimi i plote:

Ministri Mehaj mbështetet fuqishëm nga autoritetet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së

Gjatë qëndrimit në SHBA, ministri Mehaj vizitoi Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (United States National Security Council). Në Ambasadën e Kosovës në SHBA ai takoi drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore, Robin S. Brooks. Me këtë rast, ministri Mehaj e informoi znj. Brooks me përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në vazhdim ata diskutuan edhe për sigurinë rajonale, ndikimet e huaja si dhe ndryshimet në mjedisin e sigurisë globale. Nga ana e saj, znj. Brooks vlerësoi vizionin dhe objektivat e ministrit Mehaj për të ardhmen, me theks të veçantë angazhimin e tij në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Ajo u zotua se do të punojë ngushtë për të realizuar prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe qëllimet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes.

Më pas, ministri Mehaj vazhdoi agjendën e tij me vizitën në Këshillin Atlantik, në Washington DC, ku para shumë ish-diplomatëve, ambasadorëve dhe njohësve të shumtë të rajonit tonë, çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, u adresua duke njoftuar ata me vizionin dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në veçanti.
Ai gjithashtu theksoi se vizioni i qeverisë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe orientimi euroatlantik. “Ndër qëllimet tona kryesore strategjike si shtet dhe qeveri, është angazhimi maksimal për anëtarësim në NATO dhe BE. Për këtë, nga fushëveprimi ynë si Ministri e Mbrojtjes, jemi të fokusuar në zhvillimin dhe modernizimin e Forcave Mbrojtëse sipas standardeve më të avancuara të vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s që të jenë efektivisht të ndërvepruese në misione të përbashkëta paqeruajtëse dhe të stabilitetit”, theksoi ministri Mehaj në fjalën e tij të rastit.

Me theks të veçantë, përveç vlerësimit dhe mirënjohjes maksimale për mbështetjen e deritashme nga SHBA, ministri Mehaj të pranishmëve u rikujtoi se partneriteti i Republikës së Kosovës me SHBA-në është jetik dhe i pazëvendësueshëm dhe se do të angazhohet maksimalisht që ky partneritet të fuqizohet edhe më shumë në të gjitha aspektet. Këshilli Atlantik është një “think tank” amerikan në fushën e çështjeve ndërkombëtare, i themeluar në vitin 1961. Ai menaxhon dhjetë qendra rajonale dhe programe funksionale që lidhen me sigurinë ndërkombëtare dhe prosperitetin ekonomik global./global-news24hr.com