“Të tjerë politikanë do shpallen non-grata në rajon”, flet Gabriel Escobar: Dënojmë përdorimin e dhunës në 8 janar

0
122

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar dënoi dhunën e fundjavës së kaluar në Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe tha se ajo nuk mund të jetë mjet për marrjen nën kontroll të një partie politike.

Escobar tha për Zërin e Amerikës se mbështetja në protesta në rrugë nuk do të thotë domosdoshmërisht mbështetje e elektoratit dhe rikonfirmoi se ka marrëdhënie të mira me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Escobar foli edhe për rolin që do të luajë Uashingtoni në bisedimet Kosovë-Serbi, si edhe për shpresat për integrimin evropian të rajonit.

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar, situata në selinë e partisë kryesore të opozitës në Shqipëri, Partisë Demokratike u bë e dhunshme fundjavën e kaluar. Çfarë mendimi keni për atë që ndodhi atë ditë dhe në përgjithësi për atë që po ndodh në Partinë Demokratike?

Gabriel Escobar: Mendoj se është për të ardhur keq që dikush do të përdorë dhunën dhe jo kutinë e votimit në një përpjekje për të marrë nën kontroll një parti politike. Dhe ne e dënojmë këtë. Ne jemi të bashkuar me partnerët tanë evropianë në dënimin e (dhunës) dhe shpresojmë që të mos ndodhë më. Gjithashtu u bëjmë thirrje autoriteteve të ndjekin penalisht çdo person që është i përfshirë në dhunë politike.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se shpresoni që të mos ndodhë më, por zoti Berisha ka thënë se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet e tij…

Gabriel Escobar: Kjo është për të ardhur keq dhe mendoj se qëndrimi ynë për zotin Berisha është tashmë shumë i qartë.

Zëri i Amerikës: A jeni të shqetësuar për fatin e Partisë Demokratike? Ishte partia e parë që u krijua pas rënies së komunizmit, që solli pluralizmin dhe tani ajo është në një pozitë tejet të dobësuar.

Gabriel Escobar: U takon votuesve të përcaktojnë se në ç’pozitë janë partitë politike në Shqipëri. Është për të ardhur keq që megjithëse ne e konsiderojmë Partinë Demokratike një partner të rëndësishëm në Shqipëri, jo gjithkush që pretendon se është anëtar i Partisë Demokratike është një partner i rëndësishëm i yni në këto momente.

Zëri i Amerikës: Para përcaktimit këtë vit nga Departamenti i Shtetit i zotit Berisha si persona non grata, ai ishte praktikisht në pension politikisht. Dhe tani ka kritikë, që thonë se pas këtij përcaktimi ai është kthyer me forcë dhe i mbështetur me energji nga përkrahësit e tij, duke u bërë faktor përsëri. Cili është reagimin juaj ndaj këtyre zërave?

Gabriel Escobar: Para së gjithash, përcaktimi kishte të bënte me korrupsionin. Nuk kishte të bënte me politikën e mbështetësve të tij apo jetën e tij politike. Dhe ne u kemi bërë thirrje autoriteteve ta luftojnë korrupsionin kudo që ta identifikojnë dhe të ndjekin penalisht përgjegjësit. Përsa i përket rikthimit, nuk jam i sigurt se është tamam ashtu. Është e mundur që ai të ketë mbështetës. Por unë do t’u tërhiqja vëmendjen atyre që mendojnë se fakti që ai mund të nxjerrë përkrahës të dhunshëm në rrugë, sinjalizon një lloj mbështetjeje elektorale. Dyshoj që të jetë kështu. Dhe shpresoj që votuesit ta refuzojnë këtë lloj sjelljeje në këto lloj aktivitetesh.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, duket se mbështetësit e tij po e përkrahin fuqishëm dhe duket që ai të ketë shumë të tillë…

Gabriel Escobar: Po, është e mundur. Por nuk dua të flas për Berishën. Dua të flas për të ardhmen e Shqipërisë dhe të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Tani Shqipëria është një nga aleatët më të fortë dhe më të rëndësishëm që kemi në rajon. Marrëdhëniet tona në të gjitha aspektet, politike, strategjike, ushtarake dhe madje edhe ekonomike po rriten më shpejt se çdo marrëdhënie tjetër në rajon. Ne duam ta mbajmë të tillë. Kjo është e ardhmja. Nëse njerëzit, përfshirë përkrahësit e tij duan të shohin prapa, u takon atyre (të vendosin). Por ne shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se Shqipëria ka një të ardhme shumë të ndritur përpara, nëse vazhdon në rrugën që po ecën, që është një orientim i fortë euroatlantik.

Zëri i Amerikës: Në çdo vend opozita është jetike për ta vënë qeverinë para përgjegjësisë. Dhe ka nga ata që thonë se me atë që po ndodh tani me Partinë Demokratike, nuk po i kushtohet vëmendje mbikqyrjes së qeverisë dhe kryeministrit në Shqipëri, se si po e bëjnë ata punën e tyre. A është kjo shqetësuese për ju?

Gabriel Escobar: Unë besoj se çdo vend evropian, ashtu si edhe vendi ynë duhet të ketë një opozitë të

shëndetshme. Besoj se Partia Demokratike aktuale e ofron një gjë të tillë. Unë kam një marrëdhënie të mirë me zotin Basha. Kështu që do të thoja se ajo që po ndodh në rrugë nuk reflekton në të vërtetë atë që është tani Partia Demokratike. Kështu që shpresoj që votuesit të kuptojnë, që votuesit ta refuzojnë këtë lloj sjelljeje.

Zëri i Amerikës: Dhe a do të ketë përcaktime të personave të tjerë?

Gabriel Escobar: E kam thënë se nuk më pëlqen të flas për sanksionet në përgjithësi, për shumë arsye, por kryesisht për faktin se nuk është kjo mënyra se si angazhohen Shtetet e Bashkuara në rajon, veçanërisht me Shqipërinë. Kemi aq shumë rrugë pozitive angazhimi dhe do të vazhdojmë t’i përdorim ato. Megjithatë, do të ketë përcaktime të tjera në rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar, le të kalojmë tek Kosova. Vitin e kaluar nuk pati ndonjë përparim në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Madje pati një periudhë tensionesh të larta. SHBA dhe ju vetë e keni bërë të qartë se dëshironi që të realizohet sa më shpejt normalizimi i marrëdhënieve dhe arritja e një marrëveshjeje. Si mendon Uashingtoni që kjo mund të ndodhë, në kushtet e thellimit të hendekut mes dy vendeve?

Gabriel Escobar: Mbetet për t’u parë. Ne po e fillojmë këtë vit të ri me energji të ripërtërira dhe me një theks të ri për funksionimin e dialogut. Së shpejti do të bëj një udhëtim në rajon, së bashku me zotin Lajçak për të sinjalizuar mbështetjen tonë për dialogun dhe për të shfaqur angazhimin tonë në drejtim të funksionimit të dialogut. Është një dialog i udhëhequr nga BE-ja, por ne e mbështesim fuqimisht. Dhe unë shpresoj se do të bëjmë përparim. Por më duhet të them se në këtë drejtim, çështja e Serbisë dhe e Kosovës nuk ka lidhje thjesht me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, por edhe me kolegët tanë në rajon. Dhe në këtë drejtim do të thoja se Shqipëria ka qenë shumë e dobishme. Tirana flet me të dyja palët në mënyrë konstruktive dhe mbështet plotësisht përpjekjet tona për të krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme mes Serbisë dhe Kosovës, gjë që ne e vlerësojmë.

Zëri i Amerikës: Doja t’ju pyesja edhe për shpresat e integrimit në BE për Shqipërinë duke pasur parasysh që zgjerimi nuk është një nga përparësitë kryesore të BE-së për momentin. /bna.al