Florim AJDINI
Në Filozofinë politike, Diplomacia është interpretuar dhe definuar në forma dhe mënyra nga më bizaret! Nga më të lartësuarat, madje edhe nga më të poshtëruarat! Diskurset e saja politike, gjithnjë kanë synuar zgjidhjen e problemeve politike, me ç’rast, herë ia kanë dalur me sukses, e herë kanë përfunduar me fatalitete dhe skandale. Diskreditime këto, që kurorëzuan fatin e popujve të ndryshëm, perfshirë aty edhe neve shqiptarëve.
Një hije e rendë kjo, që me përjashtime të vogla, pa pra na ka ndjekur përgjatë historisë tonë diplomatike, të popullit të shtypur e te përbuzur nga të tjerët! Të dëshpruar nga ky efekt i fjalës diplomatike, rikujtojmë thënien e fuqishme: “Fatet e popujve të vegjël, dalin nga dyert e tragjedive të mëdha”, të të madhit, Ismail Qemali. Mbretëresha e politikbërjes, kurrë nuk i ka pranuar fajet dhe bëmat e saja, të cilat, sa shpëtuan po aq edhe morrën në qafë fatin e popujve dhe shteteve, në cepet e ndryshme të globit tonë të vockël.
Atëherë, në akte të ndryshme të dramave të saja, dipolmacia na paraqitet e “dekoruar me artin oratorik të të dërguarit të popujve në dreq të mallkuar!” Për më tepër, ajo me magjinë e saj, i bën këto popujt, që vetvetiu, të pyesin për rrugën e sigurtë të ‘daljes’ nga Limboja e Dantes, për të përfunduar në Ferrin e përjetshëm! Madje, ajo dhe ‘heronjtë’ e saj, thjeshtë; stepin, gjunjëzojnë, gurëzojnë fate e popuj, për të mos u ringjallur më kurrë! “Kush janë këto mendje që me bëmat e magjisë së tyre, botën ndryshuan?!”
Në Perëndimin demokratik, bëmat e tyre, gjithnjë synojnë mirëqënie, lehtësime, përmirësime qofshin ato individuale, grupore apo kolektive, nga të cilat përfiton dhe realizon të drejtën e caktuar një popull, një shtet apo një aleancë e caktuar, me një tjetër. Diplomacia e lartë e fuqive të mëdha, merret me gjeostrategji diplomatike multidimensionale, për të arritur supremasinë globale që fuqitë respektive, synojnë! Por si qëndron puna në ‘vendet e treta’, të vogla dhe të parëndësishme? Atje ku mbisundon “madhështia e bëmave të këtyre diplomatëve tanë”, që nuk shohin veten se sa të vegjël janë! Vogëlsia e tyre do thosha, matet bazuar në më shumë parametra, ndër të cilët, do veçoja madhështinë e tyre joproporcionale vizavi vendit nga i cili vijnë, suksesit në karierën paraprake dhe madhështisë reale të shtetit ku këto figura akreditohen! Një kakofoni eklatante konceptesh, që në heshtje grinden me njëri-tjetrin! Model i nje personaliteti diplomatik fatal! Model apo koncept në të cilin mbi të gjitha, mbisundon perceptimi iracional i personalitetit të tyre diplomatik të pagdhendur, që s’do mend, nuk është gjë tjetër përveç “vogëlsisë së tyre miniatorike!” Vogëlsisë që perceptohet si famë e madhështi, që çdo kush do ia kishte lakminë! Në fakt, është ky personaliteti mikroskopik i tyre, i diplomatit te bëmave dhe skandalee që atë shoqërojnë. Personalitetit të miut që mat shputën e tij me atë të elefantit.” Personalitetit, që gatise tërësisht synon benefite individuale apo klanore, që gjithnjë arrihen falë shpirtit të tyre herostratist të mbyllur në “kapsulat e vogëlsisë së përhershme!”
…dhe kështu, duke dëgjuar duke lexuar në dëshprimin që sundon botën tone tw intelektualit të ndershëm, nga dita në ditë, nga çasti në çast, do lexosh dhe do dëgjosh, se si këto “marionetka të vockla të madhështisë dhe famës politike, që brenda natës, shëndrrohet në fame diplomatike”, qetë dhe ngadalë si thot populli, ‘përtinëz’, depërtojnë kuloareve të egzekutivit më të lartë të “shteteve po aq marionette sa edhe vetë ato!” Të vendeve të origjinës ku miqtë e tyre të së njëjtës klasë, mendësi e akraballëk, emërtohen ambasadorë, konsuj e çfarë më jo! Madje agremanet e tyre i drejtojnë drejtë shteteve dhe organizatave, më prestigjioze e relevante, të botës demokratike! Të asaj bote, ku në formën më galante, luhet loja e “lepurit dhe karrotës!” Si për çudi dhe si askund tjetër në “botën e përparuar të shoqërisë për të gjithë”, diplomatët tanë emërtohen sipas kritereve “ad acta!” Kritere që në shtetet marionette, “nënkuptojnë krejtësisht të kundërtën e veprimit jashtë ligjor”, që shprehja e përmendur në fakt nënkupton! Dhe më pas, deklarata përpara mediumeve, broçkulla politike të pavlera, sipas clichéeve…pra; gjithçka është e rregullt ligjërisht! Kandidatët i plotësojnë të gjitha kriteret e nevojshme për postin që ua cakon ‘la force majure e tyre!’
Kush mund t’i ndryshonte këto vendime, do thoshim ne? Askush, madje as Perëndia vetë! Sa të çuditshëm jemi neve “homo albanicusët!” Sa të çuditshëm jemi neve homo politicusët shqiptarë?! Dhe spontanisht, në mendje më cingëron fuqishëm, një thënie e Macchiavellit, të famshëm të diplomacisë! “Liderëve duhet tu frigohemi dhe jo t’i duam apo adhurojmë për atë që bëjnë!” Një shkollë ‘par excellence’, për mendesinë e këtyre sharlatanëve politikë jologaridhënës! Kësaj klase diplomatesh ‘par excellence’, që me magjinë e madhështisë së tyre, blokojnë madje edhe perceptimin më të rëndomtë, që imponon logjika racionale e të menduarit. Është momentumi ky, kur kjo klasë palaçosh të papërgjegjshëm, e kuptojnë që popullit që sundojnë, arrijnë lehtë t’ia shuajnë revoltën! Revoltën tanimë inegzistente ndër masa të gjëra, madje edhe ndër inteligjencen e stepur që kemi!
Andaj, këto njerëz që i njohim si liderë, nëse duan t’i duam dhe t’i përkrahim, duhet të na bëjmë që t’i duam e nderojmë dhe assesi tu friksohemi për ndëshkime eventuale që munden të na servojnë, për shkak të shprehjes së mendimit dhe qëndrimit tonë eventual rreth tracheve që dëgjojmë! Pasiqë diplomacia e vendeve të cepave të humbur të globit, nuk e gëzon luksin e të qënurit të adhuruar, apo të dashur e të nderuar! Ajo nuk mund assesi të shqepet dhe zhveshet nga robat e saja të skandaleve serike. Së paku këtë nuk mundemi ta bëjmë ne të ‘turmës së dhenve’ që s’po gjejmë dot shtegun e daljes nga “vatha që u dizajnua enkas për ne! Vatha mbyllur milionfish me dry!”
Por fatmirësisht, nëse shkopi dhe karrota funksionojnë sipas pushtetit të racionalitetit logjik të mendësisë perëndimore, jo çdo lepur apo lepurushkë do arrinte ta hante karrotën! Linja e kuqe e aktivizimit të çekanit të Diplomacisë perëndimore, me mjeshtëri të madhe po shqetëson lepujt që synojnë piedestalet më të larta të supremacisë diplomatike të botës perëndimore! Ajo thjeshtë, famën e madhe te njerëzve të vegjël, po e godet me thuprën e saj të shpërfilljes galante! Ajo godet fortë, godet ashpër, ajo diskrediton, të trazon requimemin e mjerimit të kurdisur nga ti. Requiemin e fshehur thellë në mendësinë e atyre që në demens politik, tanimë për dekada, etabloi logjika e parimeve etike e morale të imperativit hipotetik të Kantit të madh! Merr çka të duash, bë cka të duash, ti meriton, ngase ti je më i miri, ti je për gjithçka, thjeshtë, je më i miri! Madje asnjëri nga këto lepurushë, që hop një herë, hop dy herë, hop tri here kercyen, sa bëjnë “hopin e kërcimit’ për tu ulur në fotelet më prestigjioze të Diplomacisë botërore, nuk ia dalin dot! Ata thjeshtë, bien poshtë si miza kur fluturimth, përplaset për dritares!
Sa çudi, do thoshin njerëzit e kafeneve tona! Më në fund … “ja ku erdhi capi te kasapi!” Ose,”nuk shkon kungulli gjithnjë mbi ujë”, do thoshin ca të tjerë! Ndersa ca absurdistë nihilistë, madje do shkonin në ekstremin sarkastik! “Punë madhe… parashutistët diplomatikë, presin katapultimin e rradhës!” Për to punon shteti, ndërsa ato ujin, drejtë mullirit të madh të famës së tyre të pamatur! Kokëlartë, “meritokracia e tyre e shkëlqyer”, do i allokon diku tjetër! Madje edhe më mirë! Këto janë clichéete diplomatike të ‚homo politicus balcanicus!‘
Por përsëri, si për cudi, ato nuk i do kush! As Oksidenti madje as Orienti! Çfarë blamazhe, do thoshin francezët, me fjalorin e tyre diplomatik! Por, mos pandehni, sepse ‘ata nuk ikin.’ Ata peshojnë okë e okë mend, janë në krah të popullit të tyre, sepse populli, thjeshtë ata i do! I do nga frika dhe ‘madhështia e tyre borderline’, që sillet ndërmjrt ëndrrës për t’u akredituar në shtete të fuqishme, dhe vockelsia e tyre e madhe individuale dhe ajo e shtetit amë, që me çdo kusht, insiston t’i “rasss’ atje ku se kanë vendin! “Statusi i Persona non grata” i këtyre herojnëve, është i pashpallur! Ai godet fuqishëm me nonshalancën e tij perfide diplomatike, të Oksidentit të fuqishëm demokratik! Një mësim “à la europiance”, për t’u mësuar. Do thoshte autori i këtij shkrimi.