Udhëheqësi i lartë ushtarak amerikan thotë se një raketë hipersonike e Kinës ‘përshkoi botën’

0
32

Një raketë test hipersonike e Kinës gjatë verës “përshkoi botën”, tha gjenerali i dytë më i lartë amerikan në një intervistë të lëshuar të martën.

Kështu, siç shkruan CNN, përcjell Telegrafi, ai ka hedhur detaje të reja mbi testin dhe duke paralajmëruar se Kina një ditë mund të jetë në gjendje të nisë një sulm të befasishëm bërthamor mbi Shtetet e Bashkuara.

“Ata lëshuan një raketë me rreze të gjatë”, ka thënë për CBS News gjenerali John Hyten, nënkryetari në largim i Shefave të Përbashkët të Shtabit.

Ndërsa kur u pyet nëse raketa goditi objektivin, Hyten tha: “Mjaft afër”.

Hyten, i cili më parë e quajti ritmin me të cilin ushtria e Kinës po zhvillon aftësitë “mahnitëse”, paralajmëroi se një ditë ata mund të kenë aftësinë për të nisur një sulm të befasishëm bërthamor në SHBA.

“Pse po ndërtojnë gjithë këtë aftësi?”, ka shtruar pyetjen Hyten. “Ato duken si një armë e ‘përdorimit të parë’. Kështu më duken ato armë”.

Zbulimet në lidhje me testin vijnë në mes të tensioneve të rritura mbi Tajvanin ndërsa Kina kërkon të zgjerojë aftësitë e armëve të saj.

Pentagoni paralajmëroi në një raport të publikuar në fillim të këtij muaji se Kina po zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj bërthamor dhe mund të ketë 1000 koka bërthamore deri në fund të dekadës.

SHBA aktualisht ka 3750 koka bërthamore në stokun e saj, sipas të dhënave më të fundit nga Departamenti i Shtetit.

Megjithatë, Kina ka mohuar se ka testuar armë hipersonike.

Dhe ndërsa Kina e Rusia po zhvillojnë versionet e tyre të raketave hipersonike, Pentagoni e ka bërë zhvillimin e armëve hipersonike një nga prioritetet e tij kryesore./tetovasot.com