Universiteti i Tetovës e shënoi 26 – vjetorin e ligjëratave të para

0
329

Universiteti i Tetovës, sot e shënoi 26-vjetorin e fillimit të ligjëratave të para. 26 vjet më parë, ëndrra e kahmotshme e shqiptarëve të vendit tonë për të pasur universitet në gjuhën shqipe u bë realitet. Kjo arritje e madhe u realizua nga bashkimi i forcave të të gjithë popullatës shqiptare në trevat tona, për një qëllim të vetëm, shkollimin në gjuhën amtare. Në përkujtim të kësaj date historike për Universitetin dhe shqiptarët e këtyre trevave, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me stafin akademik dhe studentët, bënë homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Eminit, me ç’rast u përkujtua vepra e tij dhe këmbëngulja dhe sakrifica e shqiptarëve për të pasur universitet në gjuhën shqipe.

Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fadbi Osmani, tha se në këtë datë historike përkujtojmë dëshmorin, Abdylselam Emini, dhe të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka që të jetësohet Universiteti i Tetovës dhe të qëndrojë kështu siç është sot. “Ne sot shënojmë përvjetorin e ligjëratave të para të Universitetit të Tetovës dhe me këtë rast unë dëshiroj që të përgëzoj, që t’u drejtoj urime së pari studentëve për këtë përvjetor dhe të gjithë stafit të Universitetit të Tetovës. Të mos harrojmë për asnjë moment dëshmorin që ra për universitetin, që sakrifikoi edhe jetën për Universitetin e Tetovës, Abdylselam Eminin, të cilin do ta përkujtojmë e do të bëjmë homazhe në shenjë nderimi sa herë ta shënojmë këtë datë. Do të doja që të drejtoj falënderime edhe për të gjithë profesorët, të cilët nuk jetojnë më, por që kontribuuan me ligjëratat e para në Universitetin e Tetovës.  Bashkëkombësit tanë, profesorët nga Shqipëria dhe Kosova nuk kursyen asgjë dhe pa hezitim iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Universitet të Tetovës që të ligjërojnë në këta auditorë, që të mos ketë pengesa në mbarëvajtjen e ligjëratave të para. Ligjëratat nuk do të mund të realizoheshin edhe pa zemërgjerësinë e vendasve, të cilët i shndërruan shtëpitë e tyre në mësonjëtore, fakultete. I falënderojmë pronarët e shtëpive në Reçicë, Poroj dhe disa vende tjera duke mos i harruar as dashamirët që e ndihmuan Universitetin me mjete financiare. Sot Universiteti ballafaqohet me sfida të ndryshme dhe në veçanti me sfidat e pandemisë, por Universiteti i Tetovës është organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme që të kapërcejë të gjitha këto sfida e pengesa dhe të organizojë mësimin në mënyrë normale në forma nga më të ndryshmet. Kryefjala e universitetit është cilësia” deklaroi dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof.Dr. Fadbi Osmani.

Homazhet vijuan edhe te varri i themeluesit, Rektorit të parë dhe historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij, si dhe kontributin e dhënë në ngritjen e arsimit shqip në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Po ashtu, delegacioni i UT-së e vizitoi edhe Muzeun e Universitetit në fshatin Poroj, ku u mbajtën ligjëratat e para në kushte tejet të vështira por që falë mundit, sakrificës, bashkimit të forcave dhe dëshirës së madhe për të studiuar, ia dolën të ngrenë këtë vatër të dijes që quhet Universiteti i Tetovës. Ky aktivitet u përmbyll me homazhet te shtatorja e Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit. https://unite.edu.mk/