Vàrhely-i në Shkup…një përpjekje e Komisionerit të UE-së për të ‘arsyetuar nonshalancën Europiane’, vizavi përgjërimeve tona..!

0
285

Florim AJDINI

Tanimë është e njohur që për një periudhë të gjatë kohore, por fatkeqsisht pa sukses,  UE  ka bërë përpjekje të korrigjojë dhe të riformulojë e madje edhe të frenohet që të ‘mos implementojë poltikat e tija’,  lidhur me integrimin e shteteve të Ballkanit perëndimor në rradhët e tij! Ajo që është e njohur është fakti që dëshira dhe interesimi i kësaj Bashkësie të madhe ekonomike dhe politike,  vazhdimisht në agjendën saj, ka pasur zgjerimin e Unionit edhe në rajonin e vendeve të Ballkanit perëndimor.  Por tanimë edhe me sy mbyllur mundemi lehtë të konstatojmë që ky proces,  është frenuar!   Një ‘frenim apo dezinteresim’ i këtillë nga ana e autoriteteve të UE-së, duhet shikuar si ‘thikë me dy teha.’ Kjo për faktin që politikat  aktuale Serbisë dhe  Malit të zi, rreth qasjes në bisedime me Unionin, kanë bërë një përparim madje të pavërejtur, që për kontekstin kohor, kur ato filluan, mund të krahasohet me rrugëtimin e kërmillit drejt cakut të tij të rradhës! Qartë, shkaku qëndron në elementin sui generis pansllavist që synon thithjen nga dy e më shumë nëna!Normalisht në dëm të qingjit të butë! 

Sa  i përket  Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut, UE akoma nuk ka të ngjarë që  këto  negociata aq të pritura,  t’i fillojë!   Për më tepër, kur në pyetje është Kosova, ky shtet i ri dhe aq i brizhtë, vazhdon edhe më tej të mbetet larg një date të mundshme, që në fakt  ate, e pozicionon në pozitën e një pasigurie politike si ajo e  Bosnjë Hercegovinës, një vend tjetër ky, që madje, sipas skenareve të CIA-s dhe shërbimeve të tjera të inteligjencës, rrezikon të shpartallohet! Kjo pasur parasysh, që ky vend, karakterizohet me një element të fuqishëm të ndikimit multidimensional Rus dhe atij Turko-Arab nga lindja e mesme!  

Dekodimi i problemeve dhe ngërçeve që shpjegojnë këtë situatë komplekse sipas  modelit të ‘Kutisë së Pandorës’, në rradhë të parë ka të bëjë me strategjitë politike të disa vendeve pa agjendë të qartë gjeopolitike dhe korrupsion multidimensional,  siqë është Serbia, Bosna dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.   Vazhdimi i negociatave   apo hapja e  tyre për disa nga këto vende, në rradhë të parë ka të bëjë me problemet e brendëshme të UE-së, që në fakt në formë pasive blokojnë politikat e zgjërimit të Unionit. Në rrethana të këtilla,  shumë nga shtetet  anëtare të UE-së, janë të shqetësuara nga ‘rreziku që paraqet sindromi sui generis ballkanik.’ Sindrom ky që në narrativin politik të autoriteteve të EU-së në Bruksel, rajonin e Ballkanit perëndimor e shikon si një  ‘kazan në vlim të sipër’,  ku zihet e përzihet shumëçka që  europianëve ua  jep përshtypjen e një gjelle që mund të trazojë barkun e klientit të mësuar me konsumimin e ushqimeve të shijshme!  Në kontekstin praktik, gjella në fjalë do të nënkuptohej si frikë apo rezerve e Unionit,  lidhur me indikacionet  dhe sinjalet që kjo pjesë e Ballkanit, ia  dërgon trurit të Unionit Europian në Bruksel.   

Rrethanat e reja të krijuara pas agresionit Rus mbi Ukrainën, edhe më shumë ngarkuan gjendjen, duke krijuar akte të reja të Dramës politike në rajon, që në skenë po nxjerrin aktorë të cilët haptas përkrahin të njëjtin. Në këtë rast vlen të përmendet Republika serbe dhe vetë Serbia, të cilat, agresionin në fjalë, madje   haptas e arsyetojnë! Një ‘rizgjim ky i hapur  i lugetërve të vjetër ekspansionist pansllav’ në rajon, të udhëhequr nga Beogradi. Pra,  kartat e lojës së ‘huntit’, në Ballkan, po bëhen gjithnjë e më të paparashikuara,  rrethana këto që UE-së qartë  po i sinjalizojnë që duhet ndërmarrë  hapa urgjente dhe më konkrete në përshpejtimin e procedurave të hapjes së datës së bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. UE deri më tani është dashur t’i kishte mësuar leksionet e  Ballkanit të trazuar! 

Andaj, parashtrohen pyetjet që EU, përgjigje nuk u gjen dot!  Cili është rreziku që do i kërcënohej asaj në rast të përfshirjes eventuale të  vendeve të rajonit në Union? Një Serbi  e padefinuar politikisht, që të jep përshtypjen e ‘qenit që bishtin e ka në Moskë ndërsa kokën në Mitrovicë’, apo një Shqipëri që lut  e i përgjerohet Vuçiqit për ‘bashkëpunim vëllazëror’ ndër-ballkanik për një të ardhme më të mirë, normalisht për Serbinë! Apo të vazhdojë edhe më tej në heshtje të masë dhe monitorojë, ‘dramën milionaktëshe që po zhvillohet në teatrin e maskave  të trishtimit’ ku ‘direktivat pa tekst’ po i ndërmerr Stanbolla, Beogradi  dhe Baghdadi, e më gjërë! Një perceptim skajshmërisht i gabuar dhe i rrezikshëm i strategjive politike të UE-së, që nuk reflekton tjetër, përveç hipokrizisë që haset në diskursin e saj kundrejt vendeve që përpëliten për t’u kapur për fijen e  kashtës së shpëtimit!  Një ‘status quo i heshtjes së madhe’ të politikave Europiane, që fatmirësisht, hap dyerët  demokracisë më të madhe të botës, SHBA-ve, për një korrigjim eventual të tyre! Një hap ky që tanimë në kuloaret e State Departamentit Amerikan në Washington,  është zyrtarizuar dhe si i tillë, duhet të vë në funksionim ‘koordinatat e tija politike të ndihmesës’ dhe përkrahjes së Brukselit për të qenë pak më efikas, pak më pragmatik dhe pak më i sinqertë!

Të parashtrosh pyetjen nëse në të ardhmen e afërt për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, po vijnë kohëra më të mira, do ishte një përgjigje më se e thjeshtë e cila tanimë për do vite e do dekada, po reflektohet në rajon! Janë këto ndikimet e huaja politike,  të një natyre multidimensionale, të veshura me ‘petkun e civilizimeve të huaja’, të artikuluara nëpërmjet  religjionit të politizuar dhe ekonomisë së tregut të lirë, synim i të cilave është rikthimi apo instalimi i një supremasie nga fuqitë e caktuara  rajonale të sipërpërmendura.  Turqia, me një ndikim gjeopolitik mirë të inzhinjeruar sipas terkut të saj nga legasitë poltike të së kaluarës, me një natyrë tripolare,  dhe në anën tjetër,   fuqitë  e mëdha si Rusia dhe Kina, që synojnë implementimin e një politike të re gjeostrategjike, që do ndryshonte sjelljen e zonjës plakë – Europës. Një impact I këtillë, do  kthente maniret e saja të një kurtoazie politike fine, të bazuara mbi  vlerat e meritokracisë, shtetit të së drejtës dhe shtetit për të gjithë, në ‘shtete marionette’, të kontrolluara nga Rusia e vogël e Ballkanit që është kush tjetër, perveç Serbisë  dhe Republikës Serbe në Bosnjë. Një uvertyrë perfide dhe galante  politike,  me ç’rast  konstelacion mjaft i rrezikshëm  i figurave në fushën e shahut, për të pritur kohëra më të mira, do shëndrohej në pritje të Godosë që nuk vjen kurrë! Europa, blen kohë që të verfikojë nëse jemi europianë të vërtetë!

Një ‘ndalesë e arsyetueshme ad hoc’, e  politikave Europiane drejtë zgjerimit, apo një zonë vakumi, ku në çdo moment, mund të ndeshemi me terrin dhe kaosin që mund të rezultojë. Ajo që duhet nuhatur, është që   fuqitë e sipërpërmendura, po përfitojnë në kohë, përderisa  Brukseli  vazhdimisht po përsërit diskursin politik të mungesës së rezultateve në terren, që në fakt nuk është  gjë tjetër përveç se ndrimin e destinacionit të trenit,  të  udhëtarëve të  fundit drejtë Brukselit! Në momente kaq kritike, Brukseli duhet qenë më tolerant ndaj ‘homo balcanicus’. A është  zonja Europë e rezervuar madje edhe e frikësuar për atë që po ndodh aktualisht me Vathën e dhenve të Ballkanit? Apo është kjo një peridhë e politikbërjes që artikulohet nëpërmjet të një diplomacie në heshtje të modelit win-win? Apo edhe më keq ndoshta! Vëndosja jonë nën ‘lupën e vëzhgimeve të mëdha’, që Brukseli të mundet të monitorojë në detaje  evoluimin politik dhe identitar të ‘homo balcanicus?’ Një mendje kjo, që funksionon sipas parimeve të logjikës iracionale mbi kognicionin politik të koklavitur të dramës ballkanike!

Fakti që shtetet e Ballkanit perëndimor, gjeografikisht janë vende fqinje më të afërta të Europës,  mbi të cilat tanimë UE është zotuar që  të përdorë supremasinë e tij politike dhe ekonomike për të punuar drejtë  forcimit dhe stabilizimit të tyre  të përgjithshëm, për t’i integruar ato përfundimisht në  Union, për dekada, ka qenë një ndër prioritetet kyç i këtij Unioni të fuqishëm.  Narrativi politik të autoriteteve të Unionit në fjalë, tanimë ka  vite që zotimet e tija, poi a lë faktorit kohë për menaxhim,   edhe një hap i gabuar drejtë  polarizimit të skajshëm të tyre!  Një ç’rregullim i këtillë i politikave në fjalë, anashkalon zgjërimin e shumëpritur të tij.  

Dezinteresimi i këtillë nga ana e Brukselit artikulohet në forma jopragmatike,  thjeshtë nëpërmjet të një diskursi politik jokonkret, bazuar në parimet e “ wait and see policies”, që në esencë si koncept paraqet një rrezik të llojit sipralor me domino efekt, drejtë destabilizimit të rajonit!   Shkaqet për një skenar të mundshëm  edhe përkundër faktit që Shqipëria dhe Maqedonia janë anëtare të plotifuqishme të NATO-s, nuk paraqesin kredit të mjaftueshëm për ta tejkaluar gjendjen! Në terren madje edhe më tepër, dhe në mënyrë konkrete verehen antivlerat dekadente si korrupsioni, autokracia, kleptokracia, utilitarizmi negativ që shprehen nëpërmjet tensioneve të gjeneruara nga elementi Serb.  

Andaj, shtetet e UE-së, në bashkëpunim me Mbretërinë e bashkuar dhe SHBA-në,   duhet urgjentisht të zyrtarizojnë politikat e tyre të paqës kundrejt sfidës aktuale të rikthimit të aspiracineve panslaviste dhe turkofile,  që ka kohë që po  përfitojnë nga momenti! Nëse ato nuk arrijnë t’i realizojnë këtë politika, sfidat me të cilat ballafaqohet Ballkani perëndimor, do të bëhen edhe më të rrezikshme,  dhe kjo mund të shkaktojë një moment edhe më të rrezikshëm në terren, që është ai i ballafaqimit të Unionit me një konflikt të armatosur, si ai i Ukrainës!  Një konflikt, që sindromi Ballkanik,  si rajon ‘sui generis i legasive politike të së kaluarës’, të  pozicionohet në dyerët e Europës plakë, duke kërkuar llogarinë që kjo e fundit,  nuk do mund t’ ia jepte! 

…dhe misionarët Europianë si puna e Vàrhelyi-t, e shumë e shumë të tjerëve,  vijnë e shkojnë, koha kalon ndërsa ‘lotë krokodilli vazhdojnë edhe më tej të derdhen’, e  përrallat e njëjta vazhdojnë edhe më tej të tregohen,  përderisa  vendi në heshtje makabre, vazhdon të shprazet dhe braktiset nga kremi i rinisë së lodhur nga pritja për   Godonë!   Vendin e tyre  e zënë sorrat dhe hienat që në demens tanimë ka kohë që kanë  trasuar ‘rrugët e tyre të reja të jetës’, rrugët që ujin drejtë mullirit të dreqit ka kohë që po e çojnë!  Kështu vështirë që shqiptaria do të rojë, do të thoshte i madhi Konica.  Koha e tij si duket ka përfunduar, ndërsa ‘pendimi i tij i vonuar’, për gjërat që i heshtëm,  dhe kurrë nuk i thamë e nuk i bëmë, ka kohë që janë  harruar! Tanimë kur ‘pushteti i dreqit të tij të mallkuar’,   na ka kllapitur fortë, nuk mundemi madje të flasim,  jo për atë që po na ndodh dhe po na transformon në “brumbullin misterioz të  Kafkës, por tanimë nga ‘dashuria e madhe’ që kemi, madje nuk mundemi as të shikojmë njëri-tjetrin në sy! Kjo, sepse aq shumë po duhemi, aq shumë po respektohemi  dhe aq shumë po kënaqemi me të arriturat e mëdha të ‘botës tonë të  vockël të hipokrizisë së madhe’, në rrugët e rrezikshme të jetesës të së cilës,  sillemi vërdallë dhe si të pakokë, duke mos e njohur më njëri tjetrin! 

Ku ishim, ku erdhëm dhe ku po shkojmë, do ishte pyetja egzistencialiste e një ‘absurdisti të paepur’, i cili ka kohë që është shëndruar në ‘nxënësin më të zellshëm’ të shkollës së Nihilizmit negativ të  Nietzches së madh!