Vlerësimet herostratisto-sharlataneske të akademikëve tanë!

0
74

Parashikuesi më i mirë i sjelljes sonë, është sjellja jonë në të kaluarën! Nëse kështu vazhdojmë të sillemi, ardhmëria jonë do përfundojë ose në greminë ose në piedestalin e arritjeve!

Sa e çuditshme dhe dëshpruese është kur duke surfuar nëpër internet, për të mësuar gjëra të reja nga shkenca apo politika ditore dhe ajo globale,   por pse jo për të dëgjuar  edhe ndonje ‘trach’, ‘gaf’ apo ‘thashethënie à la tetovarçe’, të rastis të dëgjosh gjëra rreth  “kualifikimeve të quasi intelektualëve” lidhur me përmbajtjen e së cilave njeriu nuk di nëse duhet të turperohet, të qesh, apo pse jo edhe të qajë! Aq më tepër kur këto opinione lansohen nga njerëz të shkolluar, me funksione e funksione,  karrierë që nga jashtë reflekton rreze ari, ndërsa brendia, gatise e shprazur! 

Kështu na ndodh neve që nuk mundemi të rrijmë pa “ushqimin e quajtur lexim”. …dhe kështu të ndodh të  rastisësh në ndonjë shkrim,  ku alamet  njerez,  apo personalitete që ‘provinca jonë  e fjetur’ nën pushtetin e famës herostratiste, këto ‘trache të të mëdhenjëve’,  që masa amorfe i konsideron “si dikush”, të tregojnë gjepurat e tyre qesharake, duke shpalosur kështu personën e tyre megalomane të karrieristëve të kulluar! Dhe si për çudi, duke lexuar shkrimet e tyre, të gëzohesh e të belbëzosh në vetvete …”uh sa i lumtur jam  për besë, që për së  pari herë gjatë karrierës së tij/saj disadekadëshe,  më në fund tha shkruajti diçka për popull, gjuhë, identitet e dinjitet kombëtar!”   Çuditshëm tingëllon kjo sjellje bizare sa në s’ka! Është thjeshtë një ekspoze e kamufluar mbi shtyllat e neo-psikoanalitikës intelektuale, të cilën padyshim, i madhi  Sigmund Freud, po të ishte gjallë,  vështirë se do arrinte ta definonte!  

…dhe kështu, si gjithmonë, kontrolluar nga koordinata proteksioniste të kumbarive dhe burazerllëqeve,   dikush vlerëson dikend se; na qenka i/e arritur në Panteonin e shkencës dhe se duhet pranuar në Akademinë e shkencave te vendit, por se ja që Parlamenti nuk e kaloi!  Një vetting pro-forma, ky që bota akademike oksidentale,  do e hudhte ne koshin e mbeturinave! Për të qenë vettingu edhe më frapant, absurd dhe sipërfaqësor, ai vazhdon me;  i/e vettuari/a për akademik,  na paskësh dy doktorata, na paskësh tre magjistratura, të bëra jashtë vendit, na paskësh qenë në këtë apo atë pozicion, na qenkësh  kandiduar për…e … bla, bla, bla  e  bla,  bla, bla… Alamet intelektuali demek! Nuk flet gjuhwn ku ka bwrw masterin apo pse jo edhe doktoratwn! Një absurd ‘sui generis’ mbi shkencën!

     Por kështu është kur vettingun ta ben ai/ajo që karrierën e ka realizuar sipas afiliacioneve të mshefta te favoreve dhe kumbarive të  politikave ditore, dhe si gjithnjë,  bazuar në pozicionet që eventualisht i ka pasur dikurë! Kështu shkon tek ne! Është ky “Vetting epowered” nga disa komponenta!  Ndër ta vlen të ‘theksohen faktet’; çfarë dikush është emërtuar, çfarë është ëmërtuar por s’ja ka dalur, dhe normal me pas vijnë ato bombastiket;  sa doktorata e magjistratura na paskësh pasur dikush! Kjo e fundit është me e rrezikshmja! Garrant që etika meritokrakratike oksidentale do i pranonte „en block!“ Thjeshtë sepse rënia e komunizmit, solli lirinë multidimensionale, por solli edhe keqpranimin e saj për aspirata materialisto-herostratist. Për më tepër ajo solli „konceptin e dhjetëshes homogjene“,  si numër por jo si përmbajtje! Së paku, neve në këtë cep të Ballkanit,  kështu e pranuam!  Pra, pasuan vërshimet në të gjitha sferat e arsimit,  sipas  terkut  10:00! 

Për të qarë a për të  qeshur, nuk e di! Harrojmë se vettingu perëndimor diplomen apo doktoratat tona, në intervista pune, i ka në rend të dytë! Ato duhen dhe për këtë s’ka dyshim! Por perëndimi miq të mi, shikon përmbajtjen, produktivitetin, kapitusin tënd profesional të hedhur në ato letra të dekoruara e të praruara! Duke vlerësuar kështu, vettungu ynë thjeshtë  dhe vazhdimisht po bie   në „grackën e distopisë akademike dhe arsimit“ në përgjithësi! Thjeshtë sepse dy-tre doktorata, mund të arrihen, në forma nga më të ndryshmet, por pasur parasysh kulturën akademike të ndikimeve anësore, në vend, këto arritje, shpeshherë, madje  shikohen edhe si banalitet i llojit të vet!  Por neve që funksionojmë sipas konceptit “Homo Balcanicus të racionalitetit” harrojmë që këto diploma i arsyeton vetëm  puna kolosale, që pason pas mbrojtjes së tyre me buketa lulesh! Kërkojnë implementimin e ekspertizës tënde në praktiken e përditshmërisë së ligjërimit dhe hulumtmit, që normalisht rezulton me produktivitetin akademik! Të realizohet kjo, d.m.th. të jesh “Armate me një ushtar të vetem”,  ose siqë thuhet ne Anglisht “One Army Man!” Dhe jo assesi eksponim  të bazuar në ‘karrierë hibride’ mbi arsimin-shkencën-ekpsertizën e zbrazur të dikujt! Sepse në provincën tonë të vockël, është e lehtë të vlerësosh  nga  ‘pozita e imagjinuar në  Panteonin e shkencës’ dhe arritjeve të mëdha! Por realiteti është i trishtë, sepse tek e fundit, nuk jemi në Tregjet valutore të botës si; CAC, DAX, FTSE, etj. Sepse atje flitet ndryshe! Madje shumë më ndryshe. Ajte 1+1 është baraz me 2, dhe assesi me 3. Andaj, të arrihet ai Panteon i fuqisë  finansiare botëore, për ne të provincës së mshefur në këtë cep të Ballkanit, mund të mbetet vetëm një ëndërr e largët! 

Pasur parasysh gjith këtë pompozitet ultra impresiv të CV-së së dikujt, pyetem,  si mundet  ne shqiptarët të  jemi kaq të arritur,  dhe kaq  të parealizuar shkencërisht? Një thikë me dy tehe kjo, rrezikun e së cilës, nuk  arrijmë assesi ta kuptojmë!  Momentum ky, qe shpalos “intelektualin e paprekshem” të  nënqiellit tonë! Edhe politikan, edhe patriot, edhe shkencëtar,  me plot PhD-ja  dhe MA-ja! Që të gjitha me 10:00! Një amulli e madhe kjo që në tregun e shitjes së mjegullës, nuk mund të definohet ndryshe përveç se si “Rilindje e jonë e kotësisë!” Sepse në vete ngërthen komponentat si; diplomat, dasmat pompoze, makinat “state of the art technology”, miqësinë, poste të panumërta, komisione pa kritere,  të gjitha të radhitura në „kuroren e karrierës“,  e bla, bla, bla! 

Ehhh miku im tani…kur je kaq i njohur, kaq i arritur e kaq i realizuar, kur je një intelektual që i përket klasës së „deluzionit të madhështisë akademike“, e ke fare të  lehtë,  sepse dyert i ke të hapura gjithandej! Dhe për më tepër, përderisa në memorien time kognitive rikthej tingujt e „O fortuna“ të „ Carmina Borana“, trishtohem dhe ndjej se si po më vjen të fikem plotësisht! Thjeshtë goditjet drumëve dhe tupanëve të Orkestrit të të famshhmit Andrée Rieux, janë aq të fuqishme, saqë më vjen të bërtas, të uluras! Dhe për më tepër,  nëse të rastist të ndodhesh një i ftuar në një dasmë, kur hedh horren, të gjithë  të jargosen për të t‘u afruar dhe  për t’ju ngjitur madhështisë satë! Çfare “climaxi herostratist à la provincialce!” Po ç’ti bësh! Kjo është mendësia jonë shqiptare.  O tempora,  o mores!  

Për të bërë analogjinë nga e cila mundemi të mësojmë, duhet ditur që botës oksidentale mik i nderuar i akademisë, nuk i intereson karriera yte politike dhe ajo e emërtimeve apo emërtimeve  që nuk u realizuan sepse nuk te votuan, si p.sh., “kandidat per president”, minister etj. Asaj bote thjeshtë i intereson vetëm kapitusi yt akademik, nëse ate e ke, dhe  sa ai është realizuar! I intereson sa është e nevojshme ekspertiza yte për  komunitetin  që do i sherbente!  Sepse tek e fundit, ne të kaluarën, por edhe në ditët tona,  jo vetëm kombi ynë, por edhe kombet e ndritura që pushtuan globin, dhanë mendje që ndryshun botën të tërë! Shumë prej tyre, madje  nuk kishin fare shkollë,  e lëre më doktorata! 

Dhe sa per fund fare, mirë është qe kemi njerëz te këtillë,  me shkolla kaq të mëdha në provincen tonë to vockël e të kllapitur nën “pushtetin e salltanatit utilitaristo-herostratist”,  sepse duke u sorollatur nëpër internet për të gjetur „ushqimin tënd“, do hasësh në ndonjërin prej tyre, për të ta prishur jo ditën, sepse ajo edhe ashtu, ka kohe që na është prishur, por thjeshtë për të ta  prishur madje edhe natën dhe për tu kthyer sërish në botën tënde të pushtetit  nihilisto-egzistencialist negativ, që pas natës së gjatë e të pagjumë, kur drita e agimit  lëshon rrezet në dhomën tënde të gjumit, nga dëshprimi të kërkosh të “marrësh rrugën e të madhit Nietzsche!” Të ikësh  atje ku kjo mendje e madhe, fliste me Diellin i shoqëruar nga gjarpëri dhe shqiponja e tij krenare!

Shkruan: Florim Ajdini