Weber dhe Serwer: SHBA dhe BE t’i japin fund problemit Kosovë-Serbi

0
154

Fjalimi i zëshëm i vitit 1991 i senatorit Joe Biden në Kongresin amerikan që t’i jepej fund krimeve në Kosovë i entuziazmoi sërish shqiptarët kur ai u vu në krye të shtetit që konsiderohet aleati më i fortë i tyre.

Dyshimet që lindën mbi mbështetjen e Amerikës ndaj Kosovës sikur u zhdukën me zgjedhjen e tij president ndërsa pritjet po rriten që problemi me Serbinë të zgjidhet njëherë e mirë pa u dëmtuar sovraniteti dhe integriteti i vendit.

Për këtë po pajtohen dhe po shpresojnë edhe dy analistë të njohur, njëri në SHBA e tjetri në BE.

Daniel Serwer, profesor në universitetin “John Hopkins”, në një intervistë për Klankosova.tv ka thënë se pret që SHBA dhe BE të jenë tandemi që do të vulosë pajtimin mes kosovarëve dhe serbëve.

“Unë pres që presidenti Joe Biden të përpiqet, së bashku me BE-në, që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një zgjidhje gjithëpërfshirëse të çështjeve të tyre të pazgjidhura”.

Sikurse amerikani, në këtë pikë mendon edhe gjermani, Bodo Weber, tha se definitivisht pret nga administrata e re e SHBA-së t’i japë përparësi dialogut Kosovë-Serbi në bashkëpunim me BE-në. Madje, ai u shpreh i lumtur që më në fund iku një administratë që performoi “rrezikshëm” në këtë rast.

“Performanca shumë e rrezikshme e ish të dërguarit Grenell tërhoqi vëmendjen e ekipit të Biden për çështjen Kosovë-Serbi edhe gjatë fushatës. Unë pres që administrata e Biden t’i kthehet, si në të kaluarën, bashkëpunimit të ngushtë transatlantik me BE-në për çështjen Kosovë-Serbi dhe kjo të mundësojë përfundimisht një rivendosje të vërtetë të negociatave për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, me BE-në në rolin kryesor dhe SHBA-në në një rol të fortë partneriteti mbështetës”, tha ai, njofton Klan Kosova.

Analisti Weber i ka pritjet e mëdha që rruga që do të ndjekë Biden në lidhje me Kosovën do të jetë pikërisht ajo që ndoqi në vitet e 90-ta.

“Pres që politika e Biden dhe administratës së tij të jetë në përputhje me atë të administratave të mëparshme, demokratike dhe republikane, bazuar në mbështetjen që kishte në të kaluarën për pavarësinë e Kosovës si mënyra e vetme reale për zgjidhjen e qëndrueshme të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi dhe në mbrojtje të sovranitetit të vendit dhe integritetit territorial”.

Nga ana tjetër, Serwer thotë se beson që Kosova – kushdo që do të jetë në krye të saj – nuk do të lejojë një marrëveshje me Serbinë që e vendos vendin në rrezik, megjithatë, rekomandon pak kompromis.

“Unë besoj se cilido autoritet që është në pushtet në Prishtinë nuk do të pajtohet me një zgjidhje gjithëpërfshirëse që nuk është në interesin e përgjithshëm të Kosovës, por kompromisi për çështje jothelbësore është gjithmonë pjesë e një zgjidhjeje të negociuar”.

Marrëveshja trelaterale mes Kosovës, Serbisë dhe SHBA-së më 4 shtator që u nënshkrua nga ish-presidenti Donald Trump pati fort kritika në Kosovë, ndonëse Qeveria Hoti që e nënshkroi e quajti atë një sukses të madh të Kosovës.
https://korca-today.al/