Yuri Kim i tregon prangat Berishës: Ai është kthyer në personazh qesharak, mos dëgjoni fantazitë e tij pasi nuk shpëton nga SHBA

0
41

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka folur në Euronews për shpalljen non grata të Sali Berishës.

Erla Mëhilli: E qartë. Zonja ambasadore, do të kaloj tani tek aktualiteti por që ka të bëjë edhe me forcimin e demokracisë, një nga objektivat që ju keni patur në fillim të mandatit tuaj. Në maj, Sekretari Amerikan i Shtetit Blinken bëri dizenjimin publik të Sali Berishës. Duhet thënë që Z. Berisha kishte 8 vite që nuk mbante më asnjë pushtet dhe kur nuk ke pushtet nuk bën dot korrupsion. Zonja Ambasadore, si mund të luftohet korrupsioni duke goditur dikë që nuk ka më pushtet?

Ambasadorja Kim: Ka të bëjë vërtet me korrupsionin dhe procesi për dizenjimin e dikujt për përfshirje në korrupsion domethënës merr vite. Nuk bëhet brenda ditës, nuk bëhet nga një individ. Nuk bëhet nga teori konspirative. Nuk është diçka që mund të zhbëhet. Ideja se ky është një dizenjim që në njëfarë mënyre është hakmarrje politike, apo se ndodh sepse nuk na pëlqen pozicioni i dikujt mbi Kosovën, apo se ndodh se dikush na urdhëroi; gjëja më dashamirëse që mund të them për këtë lloj argumenti është se është fantazi. Fantazi!

Ja faktet. Më shumë se 200 persona janë dizenjuar nga Departamenti i Shtetit për përfshirje në korrupsion domethënës. Të gjitha ato raste kalojnë një proces shumë rigoroz shqyrtimi nga një numër agjencish. Këtu përfshihen qindra njerëz, qindra ekspertë që kalojnë të gjitha të dhënat. Ekzaminojnë çdo provë dhe pastaj ndërtojnë një paketë.

Pra, kur arrin në tryezën e Sekretarit të Shtetit, cilitdo sekretar shteti, pavarësisht i cilës parti, pavarësisht i cilës administratë, Sekretari ka sigurinë që informacioni është tërësisht i besueshëm. Ja një fakt tjetër: nga 200 e ca personat që janë dizenjuar nga Sekretari i Shtetit, e dini se sa emra janë që kur i pa publiku mendoi: epo, çfarë surprise! Nuk e dinim!? Zero. E di ni se sa persona ia kanë dalë të zmbrapsin përcaktimet që iu janë bërë? Zero. Shqipëria nuk është përjashtimi i rregullit. Nuk ka surpriza këtu.

Provat janë përpara syve të të gjithëve. Përpara syve tuaja. Dhe siç thuhet në deklaratën e dizenjimit nga Sekretari i Shtetit, personat i ikën ndjekjes penale jo se ishin të pafajshëm. I ikën ndjekjes penale sepse përdorën pushtetin e tyre, abuzuan pushtetin për të siguruar që do të mbeteshin mbi ligjin. Dhe ajo që po themi me anë të këtyre përcaktimeve është se askush, askush nuk është mbi ligjin…

Erla Mëhilli: Pra kjo është një nga arsyet …

Ambasadorja Kim: …dhe nëse përdorni… Më lejoni të mbaroj. Nëse e përdor autoritetin e postit për të shkelur ligjin, për të vjedhur nga vendi yt, dhe pastaj përdor forcën politike për të intimiduar të tjerët, për të mos lejuar ndjekje penale, ndjekjen e duhur penale, kjo nuk është më e pranueshme. Kështu ka qenë për disa kohë.

Presidenti Biden e ka bërë ekstra të qartë. Vitin e kaluar, nxori disa Proklamata Presidenciale si dhe disa Urdhra Ekzekutivë që i kërkojnë Departamentit të Shtetit dhe pjesës tjetër të Qeverisë së SHBA që t’iu kërkojnë llogari personave për përfshirje në korrupsion domethënës apo përpjekje për të minuar demokracinë kudo në botë dhe specifikisht në Ballkanin Perëndimor.

Pra, përgjigja është që kjo s’ka të bëjë me as gjë tjetër; nuk ka të bëjë me pikëpamjet politike; nuk ka të bëjë me teori konspirative; nuk ka të bëjë me ato fantazitë, por ka të bëjë me faktet. Dhe faktet janë përpara syve të tu, të mi, dhe të popullit Shqiptar. Janë të dukshme.

Erla Mëhilli: Zonja Ambasadore, meqë përmendët faktet, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke iu përgjigjur kërkesës së një media këtu në Shqipëri tha se burimet ku ishin mbështetur Sekretari Amerikan i Shtetit dhe Departamenti Amerikan i Shtetit për të marrë këtë vendim ishin nga shoqatat joqeveritare, qeveria dhe mediat. Këto janë të vetmet burime?

Ambasadorja Kim: Jo, absolutisht jo. Absolutisht jo. Do të thotë që marrim në konsideratë një gamë të gjerë informacioni që është në dispozicion publikisht dhe jo publikisht, pra informacion nga burime të hapura, informacion që është i mirënjohur për publikun, si dhe burime më konfidenciale. Më lejoni të theksoj përsëri, ky është një proces disavjeçar që përfshin shumë agjenci të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Nuk është vetëm Departamenti i Shtetit. Përfshihen agjenci si Departamenti i Thesarit, FBI, CIA; përfshihen një gamë ekspertësh për të parë faktet; së pari, për të mbledhur faktet dhe pastaj për të shqyrtuar faktet, dhe pastaj ndërtimi i një dosjeje që Sekretari i Shtetit të ketë besim ta nënshkruajë. Kështu ndodhin këto përcaktime.

Nuk ndodhin sepse dikush i tha diçka dikujt, ka një thashethem, prandaj a s’di ishte mirë të bënim hakmarrje? Është fantazi. Është fantazi. Vendimet tona bazohen në fakte. Po ju them edhe diçka tjetër lidhur me përcaktimet. E dini, njerëzit thonë ose janë përpjekur me argumentin: epo, nuk ka dosje provash, prandaj me siguri s’ka bazë. Këto përcaktime sipas 7031(c) janë shumë specifike.

Nuk është çështje ligjore. Ndaj, në 200 e ca përcaktimet që ju përmenda, në asnjë rast nuk paraqesim një dosje provash. Nuk është ky procesi. Prandaj, përsëri, Shqipëria nuk ka për të qenë përjashtim në këtë rregull. E di që njerëzit janë mësuar të jenë përjashtimi. E di që të përcaktuarit janë mësuar të përjashtohen nga rregullat. Por për këtë, nuk do t’i shpëtoni rregullit, ndjesë!

Erla Mëhilli: Pra, a do të çoni prova në gjykatë në Paris apo në një gjykatë në Shqipëri apo…

Ambasadorja Kim: Sapo ju thashë, nuk shkon ashtu …

Erla Mëhilli: Nuk do të çoni prova…

Ambasadorja Kim: …Nuk ndodh ashtu …

Erla Mëhilli: …edhe nëse jua kërkojnë në një gjykatë në Paris …

Ambasadorja Kim: Nuk ndodh ashtu. Nuk ndodh ashtu. Nuk ndodh ashtu.

Erla Mëhilli: Po çfarë ndodh, nëse gjyqi, Z. Berisha e ka hedhur në gjyq në një gjykatë në Paris Sekretarin Amerikan të Shtetit Z. Blinken. Nëse do të kërkoheshin prova, ju nuk do t’i dërgoni ato? Si është procedura, si…

Ambasadorja Kim: Nuk do të komentoj për fantazi apo hipoteza. Më pëlqen të jetoj në një botë bazuar në fakte.

Erla Mëhilli: Po për qeverinë e tanishme, a keni fakte? Se keni thënë shumë shpesh që do të ketë non-grata, vendime të tjera non-grata.

Ambasadorja Kim: Më lejoni të përsëris se Shtetet e Bashkuara janë serioze sa më s’ka kur flasim për korrupsionin dhe përpjekjet për të minuar demokracinë. Jemi seriozë sa më s’ka  kur themi se të gjithë, të gjithë udhëheqësit do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Më lejoni të them edhe, siç kam përsëritur vitin e kaluar: nëse je përfshirë në korrupsion, nëse abuzon autoritetin e pushtetin e postit, nëse abuzon me besimin publik, tani është koha për të ndaluar dhe menduar pasojat. Tani është koha për të vënë në peshoree nëse ajo që po bën dhe po përfiton ia vlejnë koston që në fund do të duhet të paguash. Drejtësia po vjen dhe në mos gjë tjetër, përcaktimet që kanë bërë Shtetet e Bashkuara, vjet dhe tashmë këtë vit, demonstrojnë se cilido do të japë llogari. Askush nuk është mbi ligjin. Askush.

Burimi: vjosa.net